“Mos qani për mua, bëra detyrën”, vritet luftëtarja simbol e Mariupolit, Rusia ultimatum

19/04/2022 16:45

“Keni kohë deri në orën 15.00 të dorëzoheni”, kreu i njësive paraushtarake të republikës filoruse të Donjeckut deklaroi se trupat speciale të saj kanë nisur sulmin ndaj fabrikës së çelikut Azovstal në Mariupol, ku janë vendosur trupat e brigadës Azov dhe ato që mbeten nga bataljoni i 36-të i marinasve ukrainas.

Megjithatë, në tunelet e fabrikës gjigante kanë gjetur strehim edhe familje të tëra me fëmijë. Autoritetet vendase flasin për të paktën 1000 personave të bllokuar në këtë kompleks.

Luftëtarëve të Azovit në fabrikë, Moska u ka vendosur një ultimatum: të ulin armët deri në drekë.

Ministria rus e mbrojtjes, e cituar nga agjensia Interfax, pretendon se atij që dorëzon armët, do t`i kursehet jeta. Por ky, për vullnetarët e Azovit, nuk është një opsion.

“T`i dorëzohemi rusëve? As që bëhet fjalë”, thonë ata, ndërsa këmbëngulin se ushtarët ukrainas në pikat në kritike, përfshirë dhe ato pranë Zaporizhias, mund të rezistojnë për javë të tëra, vetëm se ashtu si edhe civilëve, u mungojnë rezervat ushqimore dhe uji.

Disa media perëndimore raportojnë se në betejën për Mariupolin humbi jetën dhe Olena Kushnir, rreshtere dhe doktoreshë e Gardës Kombëtare të Ukrainës, një nga 100 luftëtaret femra që përjetuan  ferrin e rrethimit të qytetit-port.

Olena humbi të shoqin në fillimin e luftës, megjithatë pak ditë para se të vdiste, arriti të shpëtonte djalin e saj të mitur. Në një video të regjistruar në muajin mars, mjekja tregonte situatën në Mariupol e kërkonte ndihmë nga perëndimi.

“Të mos ju vijë keq për mua, unë jam mjeke, jam luftëtare, jam ukrainase, po bëj detyrën time. Nëse nuk doni të shpëtoni Mariupolin, ju lutem të paktën të mbroni qytetarët tanë” u shpreh Olena Kushnir.

Ministria britanike e mbrojtjes tha më herët tha se rrethimi i vazhdueshëm i qytetit-port në juglindje të Ukrainës, i pengoi dhe i ngadalësoi ndjeshëm forcat ruse në përparimin e tyre përpara ofensivës madhore që kishin planifikuar në lindje të vendit.

Top Channel