Pas humbjes së nënës nga një sëmundje e rëndë, moderatorja e njohur Fjoralba Ponari vijon punën e saj dhe shfaqet në skenë njësoj si më parë. Periudhën më të vështirë e kaloi në privatësi me familjarët e saj.
Së fundmi, moderatorja ka vendosur të kalojë pak kohë me ndjekësit e saj, pasi ka bërë një bashkëbisedim virtual. Teksa pyetjet ishin të shumta dhe të ndryshme, një fanse i ka kërkuar ndjesë për pyetjen që do i bënte, pasi do i kujtonte dhimbjen e humbjes së nënës.
“Më fal që po pyes… sa mendon se do i mbash të zezat. Unë nuk e di se sa për babin”, i ka shkruar fansja.
“Si fillim ngushëllimet e mia për humbjen e babait! Nuk ka humbje më të madhe për një fëmijë sesa të humbasësh prindin. Por uroj po ashtu që të mos mundosh veten për mungesën e tij, e kjo disfatë e jetës të të shërbejë si forcë për t’u ringritur dhe më e guximshme.
Sa për veshjet, unë jam ende me të errëta, jo të zeza, por mendoj se është shumë personale dhe asnjë ngjyrë në rroba nuk rrit dhe as zvogëlon dhimbjen që ti ndjen. Fundja mund të veshësh gjithë ngjyrat e ylberit dhe shpirtin ta kesh po plagë”, shkruan Fjoralba.
Rikujtojmë se Ponari foli për herë të parë për ndarjen e nënës së saj nga jeta në moshën 54-vjeçare në emisionin “Goca dhe Gra”, ku u shpreh se duhet gjetur forca për t’u ringritur dhe për të frymëzuar të tjerët.
Top Channel