Operacioni anti-kontrabandë që është duke u zhvilluar në Tiranë ka zbuluar si funksiononte skema e 22 faqeve online, të cilat akuzohen për evazion fiskal. Ata shisnin mallra pa kupon tatimor, shpesh herë me çmim shumë më të lartë përmes faqeve të tyre në rrjete sociale.
Në dosjen e siguruar nga gazetarja Anila Hoxha thuhet se “duke përdorur rrjetet sociale reklamojnë mallra të cilat fillimisht futen tërësisht ose pjesërisht kontrabandë në Shqipëri duke shmangur pagimin e detyrimeve doganore”.
Më pas i tregtojnë duke i dërguar në destinacionet e porositësve nëpërmjet shërbimeve postare pa i pajisur me faturat apo kuponat fiskale.
“Mekanizmi i kësaj veprimtarie kriminale në fushën e doganave dhe tatimeve kryhet nëpërmjet operimit me faqe reklamimi online dhe dorëzimi me anë të shërbimeve postare private, veprime këto që e bëjnë pothuajse te pamundur gjurmimin dhe kontrollin tatimor pasi këto subjekte nuk kanë një adrese fikse fizike ushtrimi te aktivitetit qe do të bënte të mundur mbajtjen nën kontroll tatimor të veprimtarisë se tyre ekonomike.
Kjo veprimtari ekonomike në kundërshtim me ligjin aktualisht duke përfituar edhe nga situata e imponuar Covid 19 e cila me karantinimin e detyruar te popullsisë ka bere qe si fenomen te marre përmasa te gjera duke zëvendësuar në një shkalle shumë të madhe tregtinë fikse në njësi shërbimi dhe duke bërë kështu qe buxheti i shtetit për pësoje humbje të konsiderueshme nga mospagimi si i detyrimeve doganore ashtu edhe i detyrimeve tatimore”, thuhet në dosjen e siguruar nga Anila Hoxha.
22 subjektet që janë vënë nën hetim nga Prokuroria e Tiranës thuhet se importonin dhe tregtonin mallra kontrabandë dhe nuk vërtetonin orgjinalitetin cilësor të tyre.
“Pra në këtë rast, nga gjithë veprimtaria hetimore rezultoi që këto subjekte realizojnë një përfitim ekonomik në mënyrë të kundraligjshme, duke një veprimtari me rrezikshmëri për vetë marrëdhëniet juridike që thyen, duke kryer veprime në shpërfillje totale të rregullave të vendosura nga legjislacioni tatimor dhe ai doganor, duke thyer rregullat e konkurrencës së ndershme të subjekteve të cilat realisht respektojnë çdo detyrim fiskal dhe në fund duke mashtruar edhe vete konsumatorin me shitjen e produkteve të pacertifikuar për origjinën dhe cilësinë.
Per gjithë këtë arsyetim është detyrë e Prokurorisë ushtrimi i ndjekjes penale dhe ndërprerja e kësaj veprimtarie te paligjshme duke vene para përgjegjësisë penale autoret dhe duke dhënë mesazhin e parandalimit te kryerjes se një veprimtarie te tille ne kohën e metejshme”, thuhet në dosje.
Të gjitha subjektet do të hetohen pasi veprimet e tyre plotësojnë tërësisht elementet e figurave te veprave penale të “Kontrabandë me mallra të tjerë”, “Fshehje të ardhurash”, “Mospagim taksash dhe tatimesh”.
Top Channel