Pas disa shtyrjeve, qeveria malazeze vendosi më në fund të marrë një qëndrim të qartë duke vendosur sanksione ndaj Rusisë për sulmin e saj ne Ukrainë.

“Sapo është miratuar një paketë masash kufizuese kundër Rusisë! Faleminderit të gjithë ministrave për bashkëpunimin!”, njoftoi  zëvendëskryeministri i Malit të Zi Dritan Abazovic përmes një postimi në Twitter.

Hapësira ajrore malazeze ka qenë ndërkohë e mbyllur për avionët rusë, sepse për një lëvizje të tillë nuk nevojitej një vendim zyrtar i ekzekutivit. Për shkak të mungesës së kryeministrit Zdravko Krivokapic, seancën e sotme e drejtoi vetë Abazoviçi. Në 1 mars, Mali i Zi iu bashkua hapur sanksioneve të miratuara nga Bashkimi Europian kundër Moskës, por qeveria e Krivokapicit e shmangu marrjen e një vendimi që do të lejonte zbatimin e tyre në praktikë.

Ajo vetë u ndëshkua me  votë mosbesimi në fillim të shkurtit të këtij viti, por kryeministri i ri nuk është zgjedhur ende. Ndër emrat më të lakuar për këtë post, është ai i Abazoviçit. Politikani i ri, por që po imponohet fuqishëm në skenën vendase, këmbënguli që Qeveria të miratojë një vendim për zbatimin e sanksioneve ndaj qytetarëve rusë që janë në listën e zezë të Bashkimit Europian.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë bërë vazhdimisht thirrje Podgoricës që të zyrtarizojë sanksionet kundër Rusisë.

Top Channel