Ish-konkurrentja e Për’puthen, Çiljeta ishte e ftuar në “Shqipëria Live” për të zbuluar më shumë detaje nga jeta e saj private, pas largimit nga programi.
Ajo tha se kohët e fundit ka kaluar më shumë kohë me vajzën e saj, njëkohësisht ka sqaruar situatën me familjen e ish-bashkëshortit.
Çiljeta tregoi se partnerja e ish-bashkëshortit ka ndërhyrë në marrëdhënien e tyre, ndërsa problemet më të mëdha kanë nisur pasi ajo ka treguar në program rreth të shkuarës së saj.
“Personi i tretë që u fut mes nesh ndikoi në ndarjen tonë. Ish-burri dhe familjarët ndjeheshin xhelozë, për faktin që unë po ecja përpara me jetën”, tha Çiljeta.
Ajo shtoi se partnerja e bashkëshortit ka ndikuar negativisht në mendimet e familjarëve të tij, ndërsa marrëdhëniet e tyre kanë qenë të shkëlqyera.
E pyetur rreth marrëdhënies me ish-vjehrrën, ajo shprehet se i thërret akoma mama duke ruajtur një marrëdhënie të afërt me të pavarësisht rrethanave.
Çiljeta u tërhoq nga programi i Për’puthen pas debateve me ish-partnerin dhe familjes së tij.
Ish-konkurrentja nuk hezitoi të fliste rreth pëlqimeve që mund të kishte krijuar në program dhe me kë mund të ishte përputhur.
“Nuk pata kohë të pëlqeja dikë, por Melikun e njihja më shumë. Mund të isha përputhur me të”, u shpreh ajo.
Ajo thotë se nuk e lidh më asgjë me partneren aktuale të ish-bashkëshortit, por do të kishte dashur të kishte një marrëdhënie shoqërore me të.
Për një rikthim të mundshëm me ish-partnerin, ajo tha se mund të ndodhë nëse ai e bind që ka ndryshuar.
Top Channel