Që nga viti 2018, kur u miratua strategjia e re kombëtare për energjinë, qëllim kryesor ishte ngritja e Bursës së Energjisë. Efektet pozitive të kësaj burse do të ndjeheshin sot në kushtet e emergjencës energjetike.

Së pari, efektet do të ndiheshin në blerjen e energjisë, duke sjellë më shumë investime në burime gjeneruese, linja të reja transmetimi si dhe kompani tregtare të energjisë, që do të rriste konkurrencën.

Në finale edhe çmimi i blerjes do të ishte mesatarisht 40 euro më i ulët, se çmimi i bursës hungareze, së cilës i referohemi sot.

Nëse gjatë vitit të kaluar vendi bleu 224 milionë euro energji me çmim mesatar 205 euro, po të hiqnim kostot, që bursa do t’i mbulonte, do të kishim kursyer rreth 43 milionë euro.

Së dyti, Bursa e Energjisë do të zgjidhte një problem tjetër madhor, atë të disbalancave në sistem, shkaktuar nga menaxhimi i dobët i energjisë në transmetim, mes sasisë që prodhohet, konsumohet dhe asaj që tregtohet.

Operatori Transmetimit pagoi rreth 13 milionë euro vitin e kaluar për të mbuluar kostot e disbalancave, ndërsa operimi i Bursës do bënte që çdo kompani të ishte përgjegjëse në menaxhimin e rrjetit dhe t’i paguante vetë këto kosto.

Përveç kësaj fature 56 milionë euroshe, kompanitë e kanë dhe detyrim ligjor kuptimin e energjisë si mall burse

Lorenc Gordani: Që nga viti 2015 kur u bë reforma energjetike kompanitë publike të energjisë kanë detyrim për të qenë pjesëmarrëse në bursat e rajonit. Mos përmbushja e këtij detyrimi na bën qe te jemi pothuajse vendi i fundit ne Evropë e rajon që jemi të detyruar të blejmë dhe shesim energjinë duke përdorur procedurën e prokurimeve qe normalisht përdoret për mallrat që nuk janë në bursë. “

Bursa e Energjisë që nga 2019 po mbahet peng nga ngritja e platformës elektronike të tregtimit. Një kompani sllovene madje ka kryer padi në Gjykatë për shkak të kritereve absurde, siç e cilësonte ajo tenderin për krijimin e platformës. Në dhjetorin e vitit të kaluar, qeveria shpalli fitues pas hapjes për herë të tretë të tenderit, një kompani greke, me kosto 1.8 milionë euro, ndërsa vënia në funksion pritet në tremujorin e tretë të këtij viti.

Shpesh qeveritë kane përdorur fjalën e madhe, strategji kombëtare për energjinë për të fshehur në fakt dështimin e madh: energjia, jo vetëm nuk ka një strategji zhvillimi, por nuk ka asnjë bursë normale. Vetëm një ligj që shkelet që nga viti 2015, e që vetëm nga vjet, kur nisi kriza energjetike, i ka sjelle një dem buxhetit te shtetit prej më shume se 56 milion euro. Dëm që e paguajnë shqiptarët nga taksat e tyre, pavarësisht nëse në shtëpitë e tyre kanë apo jo drita.

Top Channel