Rusia akuzoi këtë të premte forcat ukrainase për sulmin në një depo karburanti në qytetin e Belgorod, që ndodhet 40 km larg nga kufiri i Rusisë me Ukrainën, dhe 80 km nga nga Kharkiv, një nga qytetet më të sulmuara nga rusët.
Nëse rezulton e vërtetë, kjo do të ishte hera e parë e konfirmuar që avionët ukrainas fluturojnë në hapësirën ajrore ruse për të goditur një objektiv.
Ministri i Jashtëm ukrainas Kuleba, nuk e konfirmon por as nuk e mohon autorësinë e Ukrainës në këtë sulm. Para gazetarëve ai shton se është në pritje të një përgjigjeje nga Rusia, nëse i ka marrë seriozisht çfarë u ra dakord në bisedimet për paqen.
“Po presim një qëndrim zyrtar nga Rusia. Nuk kemi marrë ende një përgjigje të plotë nga Rusia për propozimet që kemi ngritur në Stamboll”, thotë ministri i jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba.
Në imazhet e publikuara nga Ministria Ruse e Emergjencave, shihen zjarrfikësit në përpjekjet e tyre për të shuar flakët në objektin e magazinimit të karburantit.
Pilotët e helikopterëve ukrainas kanë shumë përvojë në fluturimet ulët për të shmangur zbulimin nga radarët ushtarakë dhe sistemet e mbrojtjes ajrore. Ata kanë praktikuar këtë praktikë në rajonin e Donbasit prej vitesh, raporton BBC.
Ky sulm, ende i pakonfirmuar nuk do ta ndryshojë betejën, por mund të tregojë se Ukraina ka ruajtur funksionimin efektiv të forcave ajrore dhe të rrisë më tej moralin e ushtrisë së saj.
Top Channel