Qëndresa e fortë europiane e ka detyruar Vladimir Putinin të bëjë hapa prapa, duke lejuar që për gazin rus të paguhet me euro dhe jo me rubla, siç insistoi Kremlini.
Putini ia pohoi personalisht një gjë të tillë në telefon kancelarit gjerman Olaf Scholz, një lëvizje kjo që padyshim i bën shumë kryeqytete të kontinentit të vjetër të marrin frymë lirisht.
Zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Hebestreit pohoi se Putin është bindur që pagesat nga Europa muajin e ardhshëm “ të vazhdojnë të jenë në euro. Ato do të transferohen si zakonisht në Gazprom Bank, e cila nuk preket nga sanksionet”.
Do të jetë banka më pas, ajo që do ta konvertojë pagesën në rubla. Në një deklaratë të lëshuar prej Kremlinit theksohet se ky vendim nuk pritet të cojë drejt një përkeqësimi të kushteve kontraktuale për kompanitë europiane importuese të gazit rus.
Një ditë më parë, Gjermania ngriti nivelin e alarmit për furnizimin me gaz, e kjo pikërisht për shkak të këmbënguljes së Moskës që pagesa të bëhej në rubla. Ministri gjerman i Ekonomisë dhe Zëvendëskancelari Robert Habeck aktivizoi nivelin e paralajmërimit të hershëm për furnizimet me gaz, masa e pare nga tre nivele te alarmit që çon në krijimin e një celule krize brenda kabinetit të tij për t’u marrë me stabilitetin e furnizimit me gaz të vendit.
Magazinat i gazit në Gjermani aktualisht janë të mbushura me rreth 25% të kapacitetit të tyre, tha Habeck. “Aktualisht nuk ka mungesë furnizimi,” shpjegoi ai. “Megjithatë, ne duhet të forcojmë masat paraprake në mënyrë që të jemi gati në rast të një përshkallëzimi nga Rusia.”
Top Channel