Ndonëse më herët presidenti rus Vladimir Putin u premtoi vendeve perëndimore se do të lejojë pagesat në euro për gazin, shumë shpejt ndryshoi qëndrim.
Putini nënshkroi këtë të enjte një dekret ku i kërkon blerësve të hapin llogari në bankat ruse për të lehtësuar pagesat, që tashmë do të bëhen në rubla.
Mediet ruse raportojnë se rregulli i ri hyn në fuqi bqë nga 1 prilli, ku Moska do të mbyllë rubinetat për ata që refuzojnë të paguajnë në rubla.
Sinkron, Vladimir Putin, presidenti i Rusisë
Nëse pagesat nuk bëhen në këtë mënyrë, do ta konsiderojmë se nuk janë paguar dhe më pas do të aplikohen pasojat që vijnë në raste të tilla, kontratat ekzistuese mund të ndërpriten. Askush nuk na shet gjëra falas dhe ne nuk kemi ndërmend të bëjmë bamirësi.
Në fillim të muajit, Rusia e kishte paralajmëruar këtë lëvizje dhe pavarësisht përpjekjeve të kancelarit gjerman Olaf Scholz për ta bindur, Putini është i bindur për t’i detyruar vendet që i cilëson jomiqësore për shkak të mbështetjes ndaj Ukrainës, të paguajnë në monedhën ruse.
Në kushte të tilla, Franca dhe Gjermania po përgatiten për një reduktim të furnizimit të gazit rus. Ministri francez i ekonomisë shprehet se vendi duhet të përgatitet për çdo situatë.
“Mund te kemi një realitet tëri, pa gaz rus. Po përgatitemi për një skenar të tillë”.
Menjëherë pas vendimit, niveli i rublës filloi të rritej, duke rikuperuar një pjesë të humbjeve që ka pësuar që nga fillimi i luftës në Ukrainë 36 ditë më parë.
Top Channel