Kryeministri Edi Rama ka folur për krizën energjetike duke marrë shembull Gjermaninë që po përgatit planin për ndërprerjen e furnizimit me gaz. Në Kuvend, Rama tha se nuk e mendonin që kriza do të komplikohej më tepër prej luftës ndërsa u shpreh se do të mbajnë çmimin e palëvizshëm të energjisë derisa të munden.
Rama: Do ishte mirë të mos e bëja unë kryetari i PS këtë predikim për ju të së djathtës shqiptare. Do thoja që është shumë e rëndësishme sot që ne të biem dakord me faktin se jemi midis një kolektivi vendesh që prekemi nga një luftë që ka nisur dhe çdo dalje nëpër ekrane për të mohuar këtë nuk i bën nder askujt. Çdo përpjekje për të luftuar ose për të vazhduar atë luftën e vogël të katundit dhe për të shpjeguar pasojat e luftës në çmime si pasoja që nuk kanë lidhje fare me luftën është e pandershme sepse e gjithë bota është në këtë situatë.
Edhe Australia që është në fund fare është në të njëjtën situatë. Këtu dua ti kthehem momentin që lajmërova se po vijmë në një fazë kritike për furnizimin me energjinë elektrike. Nuk ishte fantazi apo sajesë, por fakt. Tani është e pamundur ti fshihesh fakteve se nuk flitet më për çmime.
Jo më larg se mbrëmë, ministri i ekonomisë gjermane lajmëroi se do paraqitet së shpejti plani i furnizimit me gaz i Gjermanisë. Gjermania po përgatit planet për ndërprerjen e furnizimit me gaz në familje. Kemi arritur në kushtet kur kriza ka prekur shtetin më të fuqishëm të Europës. Kjo ka lidhje me faktin se ne në momentin kur e lajmëruam atë që po vinte dhe thamë se do të marrim masat përkatëse, as që nuk e imagjinonim që çështja do të komplikohej më tepër prej luftës.
Top Channel