Akti normativ për monitorimin e çmimeve të shportës ka hyrë në fuqi ditën e sotme, ku përcaktohet se bordi do të monitorojë çdo javë çmimet e produkteve, sipas listës së miratuar prej tij dhe do të vendosë marzhin e fitimit. Tregtarët që do të abuzojnë me çmimet do të përballen me gjobë nga dy deri 10 milionë lekë.

Ky monitorim vjen si pasojë e disa bizneseve që kanë rritur ndjeshëm çmimet e produkteve të shportës, duke krijuar vështirësi në përballimin e jetesës. Nëntë kompani importuese dhe prodhuese të vajit sot janë nën hetim për abuzim për rritje çmimesh.

Hetimi pason ngritjen e një bordi të posaçëm për kontrollin e çmimeve të shportës ku bën pjesë edhe vaji vegjetal, për të shmangur abuzimet në këtë periudhë krize në kurriz të konsumatorëve deri në normalizim të situatës.

Sipas rastit, Bordi mund të vendosë krijimin e një task-force, me përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.

Sakaq ndaj bizneseve tregtuese të produkteve të shportës që nuk respektojnë marzhin e fitimit të përcaktuar nga bordi i transparencës do të zbatohen masa administrative deri në pezullimin e aktivitetit dhe sekuestrimin e mallit kur shkelja përsëritet.

Konkretisht për subjektet e tregtimit me shumicë të produkteve ushqimore bazë dhe produkteve të lidhura me to dënohen me gjobë, në masën 10 milionë lekë, ndërsa subjektet e tregtimit me pakicë të produkteve ushqimore bazë dhe produkteve të lidhura me to dënohen me gjobë, në masën 2 milionë lekë.

Akti Normativ përcakton ndër të tjera se të gjitha subjektet janë të detyruara të marrin masa për mbajtjen e rezervave deri në 3 muaj ose në përputhje me jetëgjatësinë e produktit, me qëllim garantimin e popullatës me furnizime.

Top Channel