Gjermania vendosi të rrisë e alarmit të planit të saj emergjent për gaz në mesin e frikës se Rusia do të ndërpresë furnizimet nëse shtetet perëndimore refuzojnë ta paguajnë gazin rus me rubla.
“Do të krijohet një dhomë krizash në ministri”, deklaroi ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck, pasi shtetet e G7-ës e refuzuan t`i binden kësaj kërkese të Moskës.
Masa e “parë parandaluese” ka për qëllim të sigurojë furnizimet me gaz, tha Habeck. Sipas tij, rezervat e gazit aktualisht janë në 25 për qind të kapacitetit. Ministri e pranoi se ndalesa e dërgesave nga Rusia do të kishte pasoja “serioze”, edhe pse tregoi se furnizimet ende nuk janë ndalur.
Robert Habeck:Kremlini thotë se do të pranojë vetëm pagesa me rubla për furnizimet me gaz në shtetet e Bashkimit Europian. Por ne nuk do të pranojmë shkeljen e marrëveshjeve private për dërgesat e gazit.
Gjermania varet shumë nga gazi rus për nevojat e saj energjetike pasi 55 për qind e furnizimeve të saj dërgoheshin përmes tubacioneve nga Rusia, para se Moska të niste pushtimin e Ukrainës në 24 shkurt. Kremlini nuk tërhiqet nga pozicioni i tij, por vazhdon t`i mëshojë idesë që vendet e tjera ta paguajnë gazin rus me rubla, në të kundërt Moska do të ndalojë furnizimin.
“Ne nuk do të bëjmë bamirësi dhe të dërgojmë gaz falas për Europën Perëndimore”, ishte deklarata e prere e zëdhënësit, Dimitri Peskov.
Top Channel