Opozita do dekorata! Të gjithë e denoncuan, por në Kuvend vota u përça nga sherri në PD

29/03/2022 19:46

Arrestimet e reja për aferën e inceneratorëve janë meritë edhe e opozitës. Po e cilës? LSI kërkoi sot e para meritat.

394 ditë nga padia e parë që kemi dorëzuar në prokurorinë e posaçme SPAK. Meritë e kallëzimeve që LSI ka depozituar në SPAK me fakte dhe dokumente. Ashtu sikurse u tentua me komisionin parlamentar që të varrosen të vërtetë e kësaj afere korruptive, nuk do i lejoj të mos shkojë deri në fund hetimi”, tha Monika Kryemadhi.

Monika Kryemadhi thotë se rezultatet e SPAK janë meritë e partisë së saj, por nëse kthehemi pas në kohë, ajo që vuri në Lëvizje Prokurorinë e Posaçme ishte Nisma Thurje, e cila trokiti në dyert e SPAK në qershor të vitit 2020 dhe çdo dokument i depozituar më pas iu bashkangjit kallëzimit të parë. Këtë e pohoi edhe SPAK në njoftimin për arrestimet e reja të martën.

Por, Partia Demokratike e Lulzim Bashës e ktheu këtë denoncim në aksion politik, i cili përfundoi në hetim parlamentar. Lajmet nga SPAK bënë që Lulzim Basha të shfaqet ne publik pas një mungese të gjatë duke i cilësuar arrestimet fitore të partisë që ai drejtoi. Aksioni i partisë së tij mori vlerë edhe nga mbështetja amerikane.

Falë kësaj mbështetjeje, Komisioni Hetimor i drejtuar nga Jorida Tabaku vazhdoi punën. Hetimi parlamentar rrezikoi dështimin, pasi socialistët e mbyllën punën e komisionit, me pretekstin e kalimit të afateve. Por ndërhyrja e ambasadores Yuri Kim solli që krerët e grupeve Balla dhe Alibeaj të takohen dhe komisioni rihapi seancat dhe menjëherë aty erdhi dëshmitari kryesor.

Të martën, pas arrestimeve të reja, drejtuesja e Komisionit Hetimor nuk fshehu autokomplimentin, kur parashikoi ngjarje të tjera në të ardhmen.

Ne gjykojmë që kaq nuk është e mjaftueshme, shqiptarët kanë pritur këto kohë dhe presin që SPAK të tregojë guxim. Duke reaguar ndaj njerëzve me pushtet politik. Kemi pritur që SPAK të kalojë përtej pushteti politik dhe kemi pritur që SPAK të kryejë detyrën që PD e ka votëbesuar. E reja sot është Bllako,  por duhet te vijoje edhe me Subashin”, tha Tabaku.

Por si në çdo gjë tjetër, edhe tek inceneratorët, opozita ishte e përçarë. Uniteti i opozitës mungoi edhe në Kuvend ku raporti i hartuar nga demokratët u votua kundër edhe brenda llojit. Kundër raportit të Tabakut votoi dhe Belind Këlliçi, i cili sot kishte këtë argument:

Nuk më është dhënë mundësia që të jap opinionin tim mbi raportin final dhe të jeni të sigurt që me provat që kam paraqitur unë në Komision do të jepja një ndihmë shtesë në hartimin e raportit final për të rënduar edhe më shumë pozitën e të gjithë zyrtarëve të përfshirë në këtë aferë”.

Edhe dy deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili dhe Erisa Xhixho votuan kundër në Parlament, ndërsa Monika Kryemadhi nuk ishte në sallë për të mbrojtur atë që e cilësoi në fund si fitore të LSI-së. Por, sot kryetarja e LSI-së, tha se së shpejti do të dilte prova se LSI ishte dhe mbetet denoncuesja e vërtetë e aferës se inceneratorëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA