Deputetja socialiste Luljeta Bozo thotë se qytetarët duhet të solidarizohen me krizën ekonomike që ka prekur vendin dhe botën, si pasojë e luftës në Ukrainë.
E ftuar në emisionin “Top Talk”, Bozo shprehet se njerëzit duhet të solidarizohen me situatën.
“Duhet të sensibilizohen njerëzit, se sytë në ballë i kanë… ata shkojnë përditë që blejnë dhe menjëherë sinjalizojnë, të vijnë grupet, të kontrollojnë dhe të marrin masa. Kjo është situatë e jashtëzakonshme”.
Duke folur për pensionet, inxhinierja thotë se shtesa prej 3.000 lekësh e llogaritur si subvencion për përballimin e rritjes së çmimeve për produktet e shportës, është llogaritur dhe në bazë të inflacionit. Sipas saj, tani që për pagat nën 40.000 lekë janë hequr tatimet, në vitet në vijim do të rriten sigurimet dhe për pasojë dhe pensionet.
“3.000 është shtesa që merr një pensionist që merr sa gjysma e rrigës minimale, (32000 lekë nga 1 prilli). Është llogaritur sa është rritur inflacioni, aq do të kompensohen të gjitha pensionet. Do të indeksohen, dhe kjo është ndihmë.
Duhet të jemi shumë objektiv që të gjithë që të sinjalizojmë atje ku duhet kur shikojmë që nuk ecën një gjë. Duhet të dini që pensionet nuk dalin nga puna që kanë bërë njerëzit. Njerëzit që kanë punuar para 30-40 vitesh kanë paguar sigurime, janë prishur raportet.
Tani do të fillojë pak nga pak, vit pas viti, meqë u hoqën tatimet për rrogën nën 40.000 lekë, do të kenë mundësi të grumbullohen më shumë sigurime, më shumë para dhe gradualisht do të ngrihet dhe pensioni se s’ka si të rritet ndryshe”.
E pyetur nëse heqja e TVSH-së është e nevojshme për të sjellë uljen e çmimeve për produktet e shportës dhe të hidrokarbureve, Bozo thotë se nuk do të ndikonte.
“Ulja e TVSH-së për konsumatorin nuk ka asnjë rezultat. Shteti subvencionon 80% të energjisë, të asaj që ne paguajmë në shtëpi, po nga t’i nxjerrë këto lekë shteti”.
Qeveria i ka këshilluar qytetarët të kursejnë, megjithatë pjesa më e madhe e deputetëve dhe kabinetit të qeverisë paraqitet në ambientet e punës me makinë dhe shoferë pësonalë. Bozo thotë se shërbimet për qeveritarët janë reduktuar, megjithatë duhen shqyrtuar shërbime të tilla luksi në një kohë krize.
“Janë ulur në maksimumin e mundshëm. Shpenzimet për shërbimet ndaj qeveritarëve janë ulur në minimumin e mundshëm. Këto gjëra nuk zënë kaq shumë peshë, edhe pse nuk e diskutoj që duhen pasur në konsideratë”.
Në fund, deputetja më e vjetër aktualisht në parlamentin shqiptar iu përgjigj pyetjes së gazetarit Denis Dyrnjaja nëse është penduar “që ka kandiduar për pozicionin e deputetes”:
“Hë për hë jo njëherë, është një punë e një natyre krejt tjetër. Unë mendoj që atë që kam duhet ta jap dhe mundohem ta jap në maksimum. Por të ngrihem dhe të flas, nuk e kam në natyrë”.
Top Channel