Në 100-vjetorin e marrëdhënieve mesh SHBA-së dhe vendit tonë, ambasadorja amerikane Yuri Kim ka ndarë një lajm të mirë për shqiptarët.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë zgjatur vlefshmërinë e vizave, duke nisur nga 1 prilli.
Vlefshmëria për një vizë të re turistike apo biznesi do të zgjatet nga tre në dhjetë vjet. Kjo do të thotë se nëse jeni një qytetar shqiptar që merr një vizë turistike apo biznesi në 1 prill ose më pas, viza do të jetë e vlefshme për dhjetë vjet, jo vetëm tre.
Yuri Kim: Ndërsa festojmë 100 vjet marrëdhënie midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, kam kënaqësinë të ndaj me ju një lajm të mrekullueshëm që besoj do t’i sjellë amerikanët dhe shqiptarët akoma dhe më afër së bashku.
Çdo vit, shumë e më shumë shqiptarë po vizitojnë Shtetet e Bashkuara, ashtu si gjithnjë e më shumë amerikanë po vizitojnë Shqipërinë. Tashmë do ta bëjmë më të lehtë për shqiptarët të cilët duan të vizitojnë miqtë dhe familjen në Amerikë, të shohin vendet tona dhe të ndërtojnë marrëdhënie biznesi.
Duke filluar nga 1 prilli, vlefshmëria për një vizë të re turistike apo biznesi do të zgjatet nga tre në dhjetë vjet. Kjo do të thotë se nëse jeni një qytetar shqiptar që merr një vizë turistike apo biznesi në 1 prill ose më pas, viza juaj do të jetë e vlefshme për dhjetë vjet, jo vetëm tre. Ju do të keni mundësi të shkoni dhe të vini në Shtetet e Bashkuara në bazë të ligjeve dhe rregullave përkatëse, pa pasur nevojë që të rinovoni vizën tuaj deri në 2032.
Vendimi i Shteteve të Bashkuara për të zgjatur vlefshmërinë e vizës në dhjetë vjet pasqyron faktin që shqiptarët gjithnjë e më shumë po ndjekin rregullat kur vizitojnë Shtetet e Bashkuara. Shpresoj që të gjejmë akoma dhe më shumë mënyra për të afruar shqiptarët dhe amerikanët së bashku. Ne presim me kënaqësi që t’ju mirëpresim në Shtetet e Bashkuara dhe presim me kënaqësi edhe 100 vite të tjera si miq. Faleminderit!
Në dhjetor të vitit 2014, ambasadori amerikan Alexander Arvizu, gjatë intervistës së tij në “Top Story” njoftoi se çdo qytetar shqiptar që do të kualifikohej për marrjen e një vize amerikane, do ta kishte për një periudhë 3-vjeçare.
“Deri më sot, shqiptarët, të cilët janë kualifikuar për vizat më popullore, pra B1, B2, vizat turistike, të studentëve ose vizat e vlefshme për një vit, në ambasadë ne kemi punuar me Byronë e Çështjeve Konsullore në Departamentit për një kohë të gjatë në mënyrë që të lehtësonim kushtet e vlefshmërisë së vizave.
Jam shumë i kënaqur që të njoftoj që duke nisur nga sot, për ata shqiptarë që kualifikohen për këto viza, vlefshmëria e tyre do të jetë tani me 3 vite, jo 1. Pra, nëse kualifikoheni do të thotë që viza do të jetë e vlefshme për 3 vjet, pra do të kursejmë para pasi njerëzit nuk do të duhet të aplikojnë cdo vit, do të kursejnë kohë si dhe e shohin si një zhvillim shumë pozitiv që do të lehtësojë udhëtimet e ligjshme drejt SHBA që ne inkurajojmë. Sërish, njerëzit duhet të kualifikohen për ta marrë dhe nëse disa raste të vecanta, zyrtari konsullor mund të ketë ende autoritetin që ta kufizojë kohëzgjatjen e vizave, por pjesën më të madhe do të jetë 3 vjecare. Unë vërtetë shpresoj që do të vijë një ditë kur kufizimet do të lehtësohen dhe hapi tjetër do të ishte vlefshmëria e vizave për 5 vite dhe pas kësaj, ndoshta një ditë Shqipëria do të kualifikohet për programin e lëvizjes pa viza”, tha Arvizu për Top Story.
Top Channel