Selia diplomatike e Washingtonit në Tiranë, këtë të hënë u dha shqiptarëve një super lajm.
Përveç listës së gjatë të atyre të shpallur tashmë non-grata, të gjithë ata shqiptarë që duan të shkojnë në SHBA, në pasaportat e tyre nuk do të kenë më një vizë 3-vjeçare por me trefishin e vlefshmërisë së deritanishme.
Lajmin të cilin e quajti të mrekullueshëm e dha Ambasadorja Yuri Kim e cila shpeshherë e përsërit se SHBA aleancën e ka me shqiptarët.
Ky ishte rasti për ta dëshmuar këtë me vepra dhe jo vetëm fjalë.
Yuri Kim: Tashmë do ta bëjmë më të lehtë për shqiptarët të cilët duan të vizitojnë miqtë dhe familjen në Amerikë, të shohin vendet tona dhe të ndërtojnë marrëdhënie biznesi. Duke filluar nga 1 prilli, vlefshmëria për një vizë të re turistike apo biznesi do të zgjatet nga tre në dhjetë vjet. Kjo do të thotë se nëse jeni një qytetar shqiptar që merr një vizë turistike apo biznesi në 1 prill ose më pas, viza juaj do të jetë e vlefshme për dhjetë vjet, jo vetëm tre. Ju do të keni mundësi të shkoni dhe të vini në Shtetet e Bashkuara në bazë të ligjeve dhe rregullave përkatëse, pa pasur nevojë që të rinovoni vizën tuaj deri në 2032.
Për motivet e këtij vendimi ambasadorja Kim tha:
Yuri Kim: Vendimi i Shteteve të Bashkuara për të zgjatur vlefshmërinë e vizës në dhjetë vjet pasqyron faktin që shqiptarët gjithnjë e më shumë po ndjekin rregullat kur vizitojnë Shtetet e Bashkuara. Shpresoj që të gjejmë akoma dhe më shumë mënyra për të afruar shqiptarët dhe amerikanët së bashku. Ne presim me kënaqësi që t’ju mirëpresim në Shtetet e Bashkuara dhe presim me kënaqësi edhe 100 vite të tjera si miq.
Hapi i parë i SHBA për një regjim të ri vizash 3 vjeçar, u bë publik nga ish Ambasadori Alexandër Arvizu në emisionin Top Story të gazetarit Sokol Balla në Top Channel në Dhjetor 2014.
Alexandër Arvizu: Jam shumë i kënaqur që të njoftoj që duke nisur nga sot, për ata shqiptarë që kualifikohen për këto viza, vlefshmëria e tyre do të jetë tani me 3 vite, jo 1. Pra, nëse kualifikoheni do të thotë që viza do të jetë e vlefshme për 3 vjet, pra do të kursejmë para pasi njerëzit nuk do të duhet të aplikojnë çdo vit. Unë vërtetë shpresoj që do të vijë një ditë kur kufizimet do të lehtësohen dhe hapi tjetër do të ishte vlefshmëria e vizave për 5 vite dhe pas kësaj, ndoshta një ditë Shqipëria do të kualifikohet për programin e lëvizjes pa viza.
Në fakt 8 vite më pas kjo shpresë e ish ambasadorit Arvizu jo vetëm që realizohet por edhe e kalon parashikimin e tij.
Kjo dhuratë amerikane për shqiptarët, vjen në një kohë kur e dërguara e Washingtonin në Tiranë Yuri Kim, është vënë nën një sulm konstant nga Sali Berisha me akuzat se është pjesë e një komploti nga mafia e Xhorxh Soros, për shpalljen e tij Non Grata.
E ndërsa Sali Berisha duket se do të mbajë, përjetësisht do ta mbajë parashtesën non-grata, shqiptarët në pasaportat e tyre nga 1 Prilli, do ti gëzohen vizave amerikane 10 vjeçare.
Gjithsesi sot është një ditë e mirë për ne shqiptarët, popullin më pro-amerikan në botë.
Me gjasë dhënia e vizave 10 vjeçare, mund të jetë, kapitulli i fundit që mund ti hapë dritën jeshile vajtjes, në Eldoradon shqiptare SHBA, të shqiptarëve pa vizë. Dhe këtë e paralajmëron ambasadorja Yuri Kim në mesazhin e saj në Twitter.
Yuri Kim: Me shpresë për më shumë në vitet e ardhshme…
Top Channel