Banorët e Orikumit dhe Dukatit denoncojnë se prej ditësh banesat dhe bizneset po bëhen objekt i grabitjeve, ndërsa autorët, sipas tyre, veprojnë të maskuar dhe kryesisht në orët e natës.
Një nga rastet më të rënda është shënuar më 16 shtator në Dukat, ku persona të paidentifikuar kanë hyrë në një banesë ndërsa brenda ndodheshin banorë, duke marrë sende me vlerë dhe më pas edhe automjetin.
Më 1 tetor, një tjetër rast është raportuar në Orikum, ku autorët kanë hyrë dhe kanë vjedhur një dyqan cigaresh. Ndërkohë, banorët flasin edhe për raste të tjera vjedhjesh më të vogla në Dukat.
Denoncime për vjedhje banesash kanë mbërritur edhe nga fshati Kaninë, por për këto raste ende nuk ka të dhëna të plota se sa banesa janë prekur apo çfarë është marrë.
Banorët thonë se prej gati 10 ditësh një grup personash po lëviz në zonë dhe po kryen vjedhje të banesave dhe bizneseve.
“Jemi të terrorizuar. I kemi denoncuar rastet në polici, por vjedhjet vazhdojnë”, shprehen banorët.
Sipas tyre, autorët përfitojnë edhe nga ndërprerjet e energjisë elektrike, duke vepruar në errësirë dhe duke hyrë në banesa apo biznese pa u vënë re.
Nga vjedhjet, banorët thonë se nuk kursehet asgjë, elektroshtëpiake, ushqime, vegla pune, para, bagëti, por edhe automjete.
Pamjet e kamerave të sigurisë, sipas banorëve, kanë fiksuar persona të maskuar, ndërsa materialet filmike i janë vënë në dispozicion edhe policisë.
Frika më e madhe e banorëve nuk lidhet vetëm me dëmet materiale. Ata thonë se i tremben një përballjeje të drejtpërdrejtë me autorët, veçanërisht pasi në disa raste në banesa ka pasur njerëz.
Deri në këtë fazë, mbetet për t’u verifikuar nga policia nëse rastet e denoncuara janë të lidhura me njëri-tjetrin dhe nëse bëhet fjalë për të njëjtin grup autorësh.
Top Channel