Dy piano dhuratë për liceun artistik ”Jan Kukuzeli”, me paratë e koncertit të bamirësisë pas tërmetit të 26 nëntorit

24/03/2022 16:17

Dy piano të reja i janë dhuruar liceut artistik ”Jan Kukuzeli” të Durrësit nga 200 artistë nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët u bënë bashkë në një koncert bamirësie, pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019 në Durrës.

Pianot iu dorëzuan sot stafit pedagogjik nga sopranoja Inva Mula. ”Është vetëm fillimi dhe synojmë që bashkëpunimin e vyer ta çojmë edhe më tej”, u shpreh sopranoja e mirënjohur shqiptare, nismëtare e fushatës.

Të pranishmit vlerësuan këtë nismë që u vjen në ndihmë nxënësve, artistë të ardhshëm dhe lehtëson ndjeshëm procesin e mësimdhënies në këtë instrument kaq të dashur.

Nga liceu artistik ”Jan Kukuzeli” ndër vite kanë dalë emra të njohur të skenës botërore, duke nisur nga Florian Vlashi, Olen Çezari, Gëzim Myshketa e shumë të tjerë. Inva Mula së bashku me të tjerë artistë u ngjiten në skenë, në një mbrëmje humanitare për të prekurit nga tërmeti, që goditi vendin tonë.

Ftesës së sopranos iu  bashkuan artistë nga fusha e muzikës dhe aktorë të shumtë, të cilët  u solidarizuan  për të mbledhur fonde në ndihmë të të prekurve nga tërmeti. Paralel me koncertin e mbajtur në Tiranë u zhvillua dhe një tjetër në Prishtinë, ndërsa dhurimet u konkretizuan me blerjen e dy pianove dhuratë për këtë shkollë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA