KESH po importon energji, reshje shiu nuk ka! Çmimet në tregun ndërkombëtar janë të larta

23/03/2022 15:09

Shqipëria nuk duhet të shqetësohet vetëm për rezervat e naftës. Ajo që po vjen në horizont mund të jetë një krizë edhe më e madhe që prek sektorin e energjisë.

Niveli i Fierzës sipas të dhënave nga KESH ka arritur në nivelin më të ulët në 20 vite, ndërsa rezerva energjetike është përgjysmuar nga janari në mars.

Në këto kushte në Fierzë po prodhohet me kapacitet të reduktuar, ndërsa KESH ka filluar sërish të blejë energji në tregje ndërkombëtare.

Deri më 22 mars, KESH ka harxhuar gati 6.2 milion euro për të blerë vetëm 8 mijë megavat/orë energji.

Në këto tre muaj KESH ka harxhuar 66.5 milionë euro për 271 781 mW energji. Për të kuptuar se sa e madhe është kjo shumë, duhet bërë krahasim me vitet e kaluara.

Në të njëjtën periudhë në 2019-ën vendi blinte katërfish më shumë energji, me çmim mesatare tre herë më të ulëta.

Qeveria ka vendosur 20 miliardë lekë garanci për kompanitë e sektorit energjetik që të blejnë energji, por në kushtet e krizës së çmimeve do të nevojiten edhe më shumë, duke hequr para nga buxheti i shtetit.

Menaxhimi i kësaj krize bëhet edhe më i rëndë kur kujtohet fakti se vetëm kompanitë publike të ujësjellësve kanë160 milionë eurosh borxhe në fatura energjie ndaj OSHEE. Në planin e masave për kufizim energjie, pikërisht nga këto kompani kanë filluar edhe kufizimet e para.

Ndërkohë prej vitesh vendi nuk arrin të kapë nivelin e duhur të humbjeve. Nëse në rajon energjia që hidhet në rrjet humb në nivelet 5-7%, në Shqipëri niveli është 20%. Vetëm prej nivelit të humbjeve me çmimet aktuale të tregut nevojiten mbi 100 milionë euro për të mbuluar kostot e një rrjeti ku duhet të ishin kryer investime. Edhe njëherë shqiptarët duhet t’i kenë sytë nga qielli, sepse nëse liqenet nuk mbushen, vendi mund të përfundojë në kaos energjetik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA