Fundi i muajit mars rikthen në fushë kombëtaren e Shqipërisë e cila do të ketë dy impenjime miqësore, fillimisht më datë 26 mars në transfertë ndaj Spanjës dhe tre ditë më vonë në “Air Albania” ndaj Gjeorgjisë.
Ditën e sotme, trajneri i kuqezinjve Edoardo Reja ka publikuar edhe listën e lojtarëve të grumbulluar teksa janë tre risitë e italianit.
Elhan Kastrati ka fituar grumbullimin e parë me kombëtaren falë paraqitjeve në Serinë B me Cittadella, ashtu si edhe Kristjan Asllani që është shndërruar në një fenomen me Empolin në Serie, ndërsa po ashtu për herë të parë pjesë e kuqezinjve për dy ndeshjet e marsit do të jetë edhe 19-vjeçari me shumë perspektivë Adrian Bajrami, i cili është në pronësinë e Benficas dhe aktivizohet me të rinjtë e klubit portugez.
Sakaq, trajneri Edy Reja ka bërë ndryshime nga lista e kaluar që ishte përgatitur për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës ndaj Anglisë dhe Andorrës. Kështu, jashtë nga hera e fundit kanë mbetur portieri Gentian Selmani, Kastriot Dermaku, Lorenco Trashi, Endri Çekiçi, Bekim Balaj, Ernest Muçi apo edhe Taulant Seferi. Sakaq, në këtë grumbullim janë rikthyer pranë kombëtares Berat Gjimshiti, Ivan Balliu, Amir Abrashi, Rei Manaj dhe Giacomo Vrioni.
Top Channel