Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë dje në takimin “Nisma e Dialogut në Ballkan”, ku ishin të pranishëm vendimmarrës dhe ekspertë nga gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, me të cilët ndau mendimin se Tirana është një qytet që mbështet të drejtën, të ndershmen dhe është gati të tregojë solidaritet në situata si kjo ku po kalon bota sot.
Veliaj tha se fqinjësia e mirë ka shumë rëndësi dhe se kjo kohë është e duhura për të reflektuar. “Ne i vlerësojmë shumë fqinjët tanë. Në anën tjetër të bregut kemi Italinë, një fuqi kryesore në botë për ushqimin, kulturën, artin, muzikën dhe modën. Kemi ngjitur Greqinë, demokracia më të vjetër në botë, të cilën sot e vlerësojmë më shumë se kurdoherë tjetër. Jemi i njëjti komb vëllazëror me Kosovën, por jemi fqinj edhe me Serbinë, e cila dje mori një vendim të guximshëm.
Edhe ata janë në krizë prej asaj që po ndodh sot në botë, por për shkak të Open Balkan-it, vendosën të dërgojnë në Shqipëri sasinë e kontraktuar të drithërave, grurit dhe miellit. Jemi fqinj edhe me Maqedoninë e Veriut, ku një numër i konsiderueshëm i popullsisë është me origjinë shqiptare. Pra, nëse rrotullohemi 360 gradë, për të parë se cilët kemi afër, mendoj se ka shumë rëndësi kush janë fqinjët tanë. Nëse këtë pyetje ua bën sot ukrainasve, sigurisht që edhe për ata ka rëndësi kush janë fqinjët e tyre. Fqinjët tuaj mund të ndryshojnë kursin e historisë dhe natyrisht, edhe mirëqenien e popullit tuaj. Ndaj, shpresoj se kjo është një kohë për të reflektuar dhe për të menduar mirë se ku jemi”, u shpreh Veliaj në fjalën e tij.
Kryebashkiaku tha se dëshiron që Tirana të mbështesë gjithmonë atë që është e drejtë, që është e ndershme dhe solidaritetin. “Nëse Tirana vendos që të emërtojë një rrugë “Ukraina e Lirë”, kjo mund të ketë një efekt domino, mund të bëhet virale dhe qytetet e tjera mund të flasin me simbolika. Ndaj, unë dua që ky qytet të jetë një qytet që vendos standarde.
Ky qytet nuk është Vjena, nuk është Parisi e Londra, vendimet e botës nuk ndodhin në këtë pjesë të botës, por ne duam të jemi një qytet që vendos standarde për atë çka është e drejtë, për atë çka është e ndershme dhe për çka tregon solidaritet”, nënvizoi ai.
Ndërkaq, Veliaj shtoi se populizmi që ekziston sot, duhet luftuar gjithmonë me argumente. “Shumë prej nesh janë treguar tolerantë ndaj populistëve, duke thënë ‘le të flasin’, se kjo është liria e fjalës. Por, ajo që kemi kuptuar është se sa herë i kemi përballur populistët me argumente, kemi fituar. Javën e kaluar patëm një tjetër provë të madhe se çfarë do të thotë të përballesh me populizmin. Nëse dikush në Kremlin do të donte të shkruante skenarin ideal se çfarë do të ndodhte me demokracinë në Ballkan ose në vendet perëndimore gjatë kohës së luftës në Ukrainë, mjaft të shikonte ngjarjet e javës së kaluar në Shqipëri – njerëz që thonë: “Jo, jo, Ukraina është shumë larg, por rritja e çmimeve në botë po na prek, prandaj s’mund t’i ngasim X5-at apo Range Rover-at tanë”. Ndaj, qeveria mori një vendim të guximshëm dhe tha: “Prit pak! Po e merrni të qenit anëtar të NATO-s si të mirëqenë? Por, me përgjegjësinë dhe privilegjin e të qenit anëtar i NATO-s, të qenit vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, vjen edhe përgjegjësia për të sakrifikuar pak, për të mbajtur një pjesë të barrës për shkak të asaj që po ndodh. Prandaj, unë mendoj se publiku është pjekur nga kjo përvojë”, tha Veliaj.
Top Channel