“Të gjitha institucionet të vihen në gatishmëri të plotë”/ Kryeinspektori Sula për sezonin turistik në Berat: AKU-ja duhet të ketë numër të shtuar kontrollesh

01/07/2026 16:48

Kryeinspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, iu kërkoi të gjitha inspektorateve rajonale të Qarkut të Beratit që të vihen në gatishmëri gjatë sezonit veror.

Në një takim me inspektoratet e qarkut, ai paralajmëroi gjoba për të gjithë ata që ndotin mjedisin.

“Të gjitha institucionet të vihen në gatishmëri të plotë, për të shmangur çdo problematikë që mund të haset gjatë sezonit veror turistik. Për çdo subjekt që ndot lumin apo mjedisin do ketë gjoba”, tha ai.

Gjatë fjalës së tij, Sula i kërkoi edhe Autoritetit Kombëtar i Ushqimit të shtojë kontrollohet për të garantuar sigurinë e plotë ushqimore.

“Ka një numër të shtuar të turistëve. Do të duhet që AKU-ja të jetë jashtëzakonisht e vëmendshme që mos të na ndodhi asnjë lloj problematike. Duhet të ketë një numër të shtuar të kontrolleve, që të mos krijohen situata të vështira nëpër restorante, hotele apo bujtina”, u shpreh Sula.

Kryeinspektori Sula i ka kërkuar një raport të detajuar çdo institucioni në varësi të tij, në lidhje me problematikat e hasura, ku kryesore është ajo mjedisore.

Top Channel