Rekordi negativ i CR7, nuk e përsëriste prej sezonit 2009-2010

16/03/2022 15:51

Mbrëmjen e së martës, Manchester United “lau duart” edhe nga Europa teksa Djajtë e Kuq u eliminuan në fazën e 1/8-tave të Ligës së Kampionëve nga Atletico Madrid.

Skuadra e drejtuar nga Ralf Rangnick tashmë do t’i përqëndrojë energjitë në Premier League (i vetmi kompeticion ku garojnë) aty ku ngulmojnë për të siguruar një nga katër vendet e para, teksa edhe ky objektiv është vështirë i arritshëm pasi asgjë nuk varet nga këmbët e tyre.

Në këtë formë është e sigurt se Manchester United do ta mbyllë sezonin pa asnjë trofe, ndërsa kjo statistikë vendos edhe një rekord negativ për Cristiano Ronaldon i cili nuk dilte duarbosh prej sezonit 2009-2010, kohë kur aktivizohej në Spanjë me Real Madrid.

Në fakt, për CR7 kjo do të jetë hera e tretë që e mbyll një sezon pa iu gëzuar asnjë trofeu pasi dicka e tillë i kishte ndodhur edhe në sezonin 2004-2005, kur luante vitin e dytë te United pasi ishte larguar nga Sportingu i Lisbonës.  Kështu, aventura e dytë me Manchester United nuk po shkon sipas planeve për 37-vjeçarin, ndërsa në rast se skuadra nuk ia del të kualifikohet në Champions League sezonin e ardhshëm, atëherë portugezi edhe mund të provojë të përjetojë një tjetër eksperiencë pasi nuk është mësuar të qëndrojë gjatë pa fituar.

Top Channel