Nagelsmann “fërkon duart”, rikthehet titullari i mesfushës, drejt rikuperimit edhe Davies

16/03/2022 09:11

Bayerni i Mynihut ka një finale sezoni shumë impenjative, pasi garon si në Ligën e Kampionëve, ku ka siguruar biletën për në çerekfinale, ashtu edhe në Bundesligë, ku kryeson me 7 pikë më shumë se Borussia Dortmund (mund të shkojë 4, nëse verdhezinjtë fitojnë ndaj Mainz sonte në ndeshjen e prapambetur).

Pikërisht për sprintin final të sezonit, trajneri Julian Nagelsmann fërkon duart, pasi mund të mbështetet te shërbimet e mesfushorit Leon Goretzka, i cili ka lënë pas krahëve dëmtimin dhe është gati të japë kontributin e tij në fushë.

Mesfushori ka kryer seancën e plotë stërvitore me grupin ditën e djeshme dhe pritet të marrë disa minuta në sfidën ndaj Union Berlin në fundjavë, teksa vetëm në prill mund të rikthehet në fushë nga fillimi.

Krahas Goretzkës, tekniku i bavarezëve është në pritje edhe të kanadezit Alphonso Davies, i cili duket se ka lënë pas problemet në zemër dhe shumë shpejt do të mund të japë kontributin e tij në fushën e lojës.

Të dy këta futbollistë janë titullarë të padiskutueshëm të formacionit të Bayern Mynih dhe do të jetë padyshim si “dy blerje të reja” për fazën finale të sezonit, me bavarezët që do të synojnë majën e Europës dhe titullin e 10 radhazi në Bundesligë.

Top Channel