Bogdani i prezanton Asllanin italianëve: Ka personalitet dhe inteligjencë, Pioli e bën si Tonali

16/03/2022 16:51

Klodian Asllani është një nga emrat që qarkullon më së shumti në axhendën e drejtorit të Milanit, Paolo Maldini.

Kuqezinjtë besojnë te talenti i futbollistit shqiptar, i cili në këtë sezon po përjeton eksperiencën e parë në elitën italiane teksa aktivizohet me Empolin. Së fundmi, rreth 20-vjeçarit ka folur edhe një ish-sulmues kuqezi dhe që në Itali ka bërë histori, si Erjon Bogdani. Ky i fundit ka bërë një prezantim të cilësive të Asllanit ndërsa thekson se do të ishte mirë që talenti të transferohej te Milan dhe të punonte me një trajner si Stefano Pioli i cili di si t’i trajtojë të rinjtë.

“Asllani është një lojtar i shkëlqyer dhe është shumë i maturuar për moshën që ka. Ju kujtoj se po flasim për një lojtar të datëlindjes 2002, por që në fushë nuk kuptohet. Ka inteligjencë, personalitet dhe iu jep udhëzime shokëve të skuadrës. Kam biseduar disa herë me Asllanin, por për të më kanë folur shumë mirë Ujkani dhe Bajrami. Më tregojnë se Asllani është një mesfushor modern që di të përshtatet në dy-tre role dhe që trajnerit i ofron shumë zgjedhje taktike. Mbron mirë topin dhe vertikalizon shumë, e njeh mirë fushën dhe e di se ku duhet të pozicionohet”.

Është trajnuar nga Pioli te Salernitana- “Pioli është shumë i duruar me të rinjtë dhe i pranon gabimet e tyre. Për mua Pioli është perfekt për një si Asllani, mjafton të shikoni se çfarë ka bërë me Tonalin”.

Cilin klub do t’i këshilloje? “Nuk ia lejoj vetes të këshilloj asnjë, di që për të interesohen më së shumti Milan dhe Inter. Për projektin me të rinjtë që po ndjek aktualisht, mendoj se i përshtatet më shumë Milan. Por, nëse kalon te kuqezinjtë, Asllani nuk mund të jetë menjëherë titullar. Duhet ta fitoj vendin”, u shpreh Bogdani.

Top Channel