“Edhe të burgosurit me rrogë në Shqipëri”/ Manja: Në fazën e parë të projektit, do punësohen 380 të dënuar

15/03/2022 14:18

380 të burgosur që vuajnë dënimin në IEVP e republikës shqiptare do të kenë mundësi të punësohen në administratën e burgjeve, por edhe në sektorin privat, në kuadër të ligjit të ri për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve.

Ishte ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja dhe drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve ata që lançuan këtë të martë projektin e ri për punësimin e të dënuarve në Institucionet e Ekzekutimeve të Vendimeve Penale.

Janë 380 të dënuar si fazë e parë që do të punësohen në IEVP e republikës. Sot startojmë me Durrësin, ku kanë filluar punën 15 të dënuarit e parë. Është një program ambicioz, që implementohet për herë të parë me ligjin e ri për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve”, është shprehur ministri Manja.

Ai ka shpjeguar se punësimi i personave që vuajnë dënimin në institucionet shqiptare, nuk do të jenë vetëm në administratën e burgjeve, por edhe në sektorin privat.

Në burgun e Fierit po diskutohet të punësohen 200 të dënuar në sektorin privat, po ashtu edhe 70 të dënuar në IEVP e Reçit. Në total siç e thashë do të jenë 380 të punësuar në këtë fazë të parë. Në lidhje me punësimet në bashkëpunim me sektorin privat, jemi në bisedime me shumë kompani, kryesisht në fushën e fasonerive”, tha ministri.

Ai shpjegoi edhe mënyrën e pagesës që do të kryhet sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, ku të punësuarit në administratën e burgjeve dhe që paguhen me fondin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve do të kenë 25 për qind të pagës së funksionit që kryejnë, ndërkohë që të punësuarit në sektorin privat do të paguhen me pagën minimale.

Në kuadrin e vjetër ligjor, puna e të dënuarve shpërblehej me zbritje të ditëve të dënimit. Në projektin e punësimit mund të përfshihen vetëm të dënuarit me vendim të formës së prerë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA