Teksa kryeministri Edi Rama ndodhej në një bashkëbisedim me pensionistët, Lulzim Basha reagoi për rritjen e çmimit të naftës dhe produkteve të shportës duke ironizuar paketën e Rezistencës Sociale.
Kreu i PD tha se kanë propozuar kohë më parë zgjidhje ndërsa ajo që ka parashikuar qeveria është vetëm lëmoshë për grupe të kufizuara që po mbijetojnë.
Ndër të tjera shtoi se qeveria po programon më shumë taksa ndërsa po bën sikur po ndihmon qytetarët.
Basha: Ndërkohë që bën sikur ndihmon, qeveria po programon më shumë taksa
Edi Rama vazhdon të tallet me qytetarët me gjoja paketa shpëtimi. Është e njëjta skemë siç bëri në kohën e pandemisë, ku shumica dërmuese e shqiptarëve u zhyten në mjerim.
Qeveria ka parashikuar të shpërndajë lëmoshë tek grupe të kufizuara, që po mbijetojnë, kur në fakt rritja e çmimeve prek të gjitha shtresat dhe do të zhysë në varfëri qindra mijëra familje.
Zgjidhje ka.
Ia kemi propozuar kohë më parë ku i kërkuam të marrë masa. Sepse shqiptarët janë aq të varfër sa nuk i përballojnë dot kostot shtesë për të përmbushur nevojat bazë.
Mjafton të shohësh vendet fqinje për të kuptuar se ka zgjidhje që ndihmojnë të gjithë qytetarët.
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar ligjin për uljen e akcizës për karburantet dhe Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nga 18 në 10 për qind. Po kështu ka vendosur për uljen e TVSH-së për ushqime bazë nga 5 në 0 për qind.
Por ndërkohë që bën sikur po ndihmon qytetarët, në këtë kohë krize qeveria po programon më shumë taksa; do rikthejë taksën për Biznesin e Vogël dhe një sërë taksash të tjera që do ta rëndojnë edhe më shumë gjendjen.
Me lëmoshë nuk zgjidhet kriza, ajo vetëm thellohet më shumë.
Top Channel