Një hetim i nisur tre vite më parë nga Prokuroria e Posaçme dhe Policia e Shtetit u finalizua këtë të enjte me shpërndarjen e urdhër arresteve për 44 persona, të përfshirë në trafik, prodhim dhe kultivim të drogës, si pjesë e grupeve të strukturuara kriminale.
35 persona janë arrestuar, teksa një tjetër është në arrest shtëpie dhe një në detyrim paraqitje.
Gjatë hetimeve, SPAK ka mundur të evidentoj 13 episode kriminale të trafikimit, prodhimit dhe shitjes së narkotikëve si dhe kultivimit të bimëve narkotike në Vlorë, Tepelenë, Durrës, Tiranë dhe Lezhë, qytete ku edhe u shtri operacioni i zhvilluar përgjatë të enjtes. Veprat e dyshuara kriminale janë kryer gjatë periudhës nga muaji mars deri në nëntor të vitit 2020.
Përgjatë 36 muajve hetime, SPAK arriti të provoj veprimtarin kriminale të pesë grupeve të ndryshme, për të cilët Gjykata e Posaçme firmosi 42 masa “arrest në burg”, mes tyre edhe dy efektivë policie, 1 “arrest shtëpie” dhe 1 grua nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Gjatë hetimeve të Prokurorisë së Posaçme rezultoi se Fejzi Meçaj, punonjës policie në Komisariatin e Tepelenës, dhe Adriatik Logli, efektiv i Policisë së Gjirokastrës, kanë konsumuar veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, ndërsa kanë lehtësuar punën e trafikantëve për trafikimin e lëndëve narkotike.
Në veçanti, në qytetin e Vlorës, u prenë 8 urdhër-arreste, të ekzekutuara janë gjashtë prej tyre. Një prej personave të kërkuar nuk u gjet në banesë, ndërsa një tjetër rezultoi të ishte arrestuar më herët për vepra të tjera penale.
Deklarata e plotë:
Finalizohet pas një hetimi 3-vjeçar, operacioni policor i koduar “FIVE”.
Operacioni nga strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit, nën drejtimin e SPAK-ut.
Të angazhuara në operacion, Drejtoria Hetimore, RENEA, FNSH, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Vlorë, Lezhë, Shkodër, Durrës, Gjirokastër, Elbasan dhe Kukës.
Goditen 5 grupe të strukturuara kriminale të sinkronizuar me njëri-tjetrin, që ushtronin veprimtari në fushën e narkotikëve.
Ekzekutohen masat e sigurisë për 35 shtetas.
Gjatë periudhës 3-vjeçare të hetimit janë sekuestruar 1 armë zjarri, municion luftarak, sasi të konsiderueshme lënde narkotike të llojeve të ndryshme, qindra bimë narkotike, vaj hashashi dhe një sasi farash kanabisi.
Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Agjencitë e Zbatimit të Ligjit, në kuadër të procedimit penal të nisur në vitin 2019, kanë finalizuar operacionin “FIVE”.
Gjatë hetimit proaktiv 3-vjeçar është provuar veprimtaria e kundërligjshme e 5 grupeve të strukturuara kriminale që vepronin në bashkëpunim me njëri-tjetrin.
Janë evidentuar 13 episode kriminale të trafikimit të narkotikëve, prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, si dhe kultivimit të bimëve narkotike në qytetet Vlorë, Tepelenë, Durrës, Tiranë, Lezhë, Prrenjas, gjatë periudhës mars 2019-nëntor 2020.
Pas provave të siguruara gjatë hetimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, për shtetasit e përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Forcat policore të përfshira në operacion kanë ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit:
Gjithashtu, janë ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit:
Në vijim të veprimeve janë shpallur në kërkim disa persona të tjerë, të cilët nuk janë gjetur në banesat e tyre, gjatë operacionit për ekzekutimin e masave të sigurisë.
Gjithashtu, Gjykata ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, për shtetasin N. Ll. dhe masën e sigurimit personal “Detyrimi paraqitjeje”, për shtetasin A. Sh.
Gjatë hetimeve ka rezultuar se shtetasi F. M., me detyrë punonjës policie në Komisariatin e Policisë Tepelenë dhe shtetasi A. L., me detyrë punonjës policie në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, kanë konsumuar elemente të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”. Për këta shtetas është caktuar masa e sigurimit personal “Arrest në burg”.
Operacioni vijon për kapjen e personave në kërkim.
Materialet i kaluan Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për veprime të mëtejshme.
Top Channel