SHBA/ Kongresmeni thirrje Bidenit: Kosova urgjent në NATO, në lojë siguria europiane

07/03/2022 12:43

Kongresmeni amerikan Ritchie Torres i drejtoi një thirrje të drejtpërdrejtë presidentit amerikan, Joe Biden duke i kërkuar anëtarësimin e shpejtë të Kosovës në NATO.

Në një letër dërguar shefit të Shtëpisë së Bardhë dhe  Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, Torres i mëshon idesë se pas situatës së krijuar prej pushtimit rus në Ukrainë, pranimi i Kosovës në aleancën veri-atlantike është një domosdoshmëri.

“Duke marrë parasysh pushtimin e paprovokuar rus ndaj Ukrainës, siguria në Europë është kritike. Është parësore për sigurinë europiane që ne të vazhdojmë dhe të zgjerojmë partneritetin që kemi përmes NATO-s. Prandaj, si një prej aleateve më të fuqishme të SHBA-së, u bëjmë thirrje që të shtoni përpjekjet tuaja që të siguroheni që Kosova të pranohet në NATO si shtet anëtar,” tha Ritchie Torres, anëtar i Kongresit amerikan.

Torres përmend sanksionet që Kosova ka vendosur ndaj Rusisë duke ndjekur shembullin e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, dhe insiston se ajo  nuk është imune ndaj agresionit rus.

“Agresioni rus është po ashtu shqetësues për Kosovën dhe për shkak të raporteve veçse të tensionuara që ka me fqinjin e saj, Serbinë. Serbia vazhdon të largohet nga Perëndimi dhe të afrohet drejt idealeve ruse.” shtoi ai

Më tej, anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve përshëndeti hapat e ndërmarrë prej Prishtinës zyrtare duke përmendur kërkesën e ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, që Kosova t’i bashkohet aleancës ushtarake, por dhe vendimin e Kuvendit të Kosovës që Qeveria të nisë negociatat për anëtarësim në Aleancë, duke kujtuar se përsa kohë Rusia vazhdon të sillet si një aktor joracional dhe Serbia forcon raportet me Rusinë, edhe Kosova është e rrezikuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA