Rusia po përgatitet për bombardime shkatërrimtare në Odesa, paralajmëroi presidenti ukrainas Volodymir Zelensky gjatë një fjalimi të mbajtur sot.
Qyteti i njohur port në brigjet e Detit të Zi duket se do të përballet me të gjithë furinë e ushtrisë ruse, që nuk arriti të merrte ashtu siç shpresonte, kryeqytetin Kiev. Goditja e Odesës “do të përbënte një krim lufte “, tha Zelensky që e bëri në rusisht një pjesë të deklaratës, teksa u kërkoi rusëve të zgjedhin mes jetës dhe skllavërisë, në një kohë kur siç tha, është ende e mundur të mposhtet e keqja, pa humbje të pariparueshme.
“Ata po përgatiten të bombardojnë Odesën. Odesën, qytetin që i ka mirëpritur rusët gjithmonë, qytetit ngrohtësinë e të cilit e kanë ndjerë përherë. Po tani ç’po bëjnë? Bomba kundër Odesës? Predha artilerie? Raketa kundër Odesës? Ky do të jetë një krim historik!”
Konflikti Rus-Ukraina ka hyrë në ditën e 11-të, pa shenja qetësimi. Pushim zjarri i njoftuar një ditë më parë për hapjen e korridoreve humanitare, dështoi, duke shkaktuar kaos në Mariupol ku njerëzit u detyruan të kthehen mbrapsht. Me bombardimet pa pushim, ruset po përpiqen të ulin moralin e trupave dhe të popullatës ukrainase. Nën breshërinë intensive të raketave ruse gjenden disa qytete, përfshirën Kievin e Kharkivin. Qëndresa e fortë e ukrainasve ka demoralizuar trupat ruse, thotë BBC.
Në raportin e saj më të fundit, ministria ukrainase e mbrojtjes tregon se forcat ruse kanë humbur 88 avionë dhe helikopterë që nga fillimi i konfliktit. Disa pilotë rusë janë kapur rob, e po kështu një numër i konsiderueshëm pajisjesh ruse janë sekuestruar në rajonin Mykolaiv, teksa trupat vendase po mobilizohen për mbrojtjen e Mariupolit.
Rusia sakaq mori dhe një tjetër goditje ne tregjet e saj: gjigantët amerikanë të pagesave Visa dhe Mastercard njoftuan se kanë pezulluar punën atje për shkak të pushtimit të Ukrainës. Visa tha në një deklaratë se do të ndërpresë transaksionet “gjatë ditëve në vijim” dhe si rrjedhojë kartat e lëshuara në Rusi nuk do të funksionojnë jashtë vendit.
Top Channel