Dorëzimi i kërkesës së presidentit të Ukrainës, Volodimir Zelenskiy, për anëtarësimin e vendit të tij në BE, aplikimi zyrtar i Gjeorgjisë për anëtarësim, paralajmërimet nga Kosova se do të aplikojë për anëtarësim krahas thirrjeve që këtyre vendeve t’u jepet me një procedurë të shpejtuar statusi i kandidatit, e kanë kthyer në një mënyrë të papritur në fokus përsëri procesin e zgjerimit.
Por, në selinë e BE-së duan që të ulin pak pritjet dhe deklaratat të kuptohen më shumë si “porosi politike” sesa marrje e ndonjë obligimi formal në procesin e zgjerimit.
Ky është një proces në të cilin deri më tani Bashkimi Evropian ka qenë shumë skeptik. Dhe, nuk i ka përmbushur premtimet as ndaj vendeve, të cilat para shumë vitesh kanë kërkuar anëtarësim, ndërsa ka refuzuar kategorikisht që të marrë obligime të reja.
Shembulli më i mirë është Maqedonia e Veriut, e cila para 18 vjetësh ka dorëzuar kërkesën formale për anëtarësim në BE, por ende nuk i ka nisur negociatat e anëtarësimit ndërkohë që disa vite me radhë Komisioni Evropian ka konfirmuar se ky shtet i ka përmbushur të gjitha kushtet dhe ka rekomanduar hapjen e negociatave. E njëjta vlen edhe për Shqipërinë.
Parlamenti Evropian, me një Rezolutë të veçantë, ka kërkuar statusin e vendit kandidat për Ukrainën, por ajo nuk ka fuqi detyruese për vendet anëtare.
Top Channel