Vendos një autogol, mposhtet Skënderbeu, festojnë “Kastriotët”

03/03/2022 16:44

Një autogol i Randy Dwumfour i dha tre pikët Kastriotit në sfidën direkte për mbijetesën ndaj Skënderbeut në Kamzë, duke bërë që krutanët në ngjiten në kuotën e 21 pikëve dhe të parakalojnë Dinamon, ndërsa korçarët e shohin veten në fund dhe gjithmonë e me shpresa më të pakta për të qëndruar në elitë.

Për vetë rëndësinë e saj, pritej një sfidë e luftuar, teksa tensioni shpërtheu që në tunel, me Bajramin e Didën që u konfrontuan me njëri-tjetrin, ndërkohë që po dilnin në fushë për startin e ndeshjes.

Kaq mjaftoi që të shpërthejë tensioni, teksa arbitri Juxhin Xhaja vendosi t’u tregojë kartonin e kuq të dyve, si një mënyrë edhe për të imponuar autoritetin dhe të dy trajnerët u detyruan të modifikojnë formacionin.

Për më tepër se 20 minuta të dy skuadrat u shfaqën mjaft të kujdesshme, megjithatë në të 26-ën ishte Kaina që gjeti shtyllën dhe topi i kthyer, u përplas në mënyrë të pafat në këmbët e Dwumfour dhe përfundoi në rrjetën e Rexhepit.

Avantazhi i dha qetësi Kastriotit, që menaxhoi mirë lojën dhe madje në disa raste “flirtoi” me golin e dytë, por forma mjaft e mirë e Bekim Rexhepit, mbajti në lojë korçarët, që nga ana tjetër bënë shumë pak për të shmangur humbjen.

Kastrioti-Skënderbeu 1-0 Dwumfour (autogol) 26′

Kronika e ndeshjes:

– Pas vërshëllimës finale, Zguro proteston te arbitri, por merr një tjetr karton të verdhë, që i shndërrohet në të kuq…

– Mbyllet sfida me fitoren minimale 1-0 të Kastriotit…

– Akordohen 4 minuta shtesë…

67′ – Zogaj godet nga distanca, por reagon mirë Rexhepi, teksa Hasani nuk shfrytëzon topin e kthyer, duke e dërguar jashtë. Minuta të mira për Kastriotin.

63’ – Kërcënojnë sërish vendasit me një goditje nga këndi, teksa sërish Rexhepi fluturon dhe grushton topin që po i drejtohej trekëndëshit të portës.

57′ – Okebugwu i afrohet golit të dytë me një penallti në lëvizje, por është Rexhepi që shpëton Skënderbeun…

55’ – Zguro ndalet me faull, teksa duket se dëmton rëndë krahun, por ia hedh paq dhe ngrihet për të vijuar lojën.

– Nis pjesa e dytë në Kamëz…

– Pas dy minutash shtesë, mbyllet pjesa e parë me avantazhin minimal 1-0 të krutanëve, falë autogolit të Dëumfour. Ndërkohë arbitri Xhaja mban vendasit në fushë, për të pritur daljen e lojtarëve të Skënderbeut, në mënyrë që të shmangen konfrontimet.

44’ – Rami ekzekuton mjaft bukur një goditje dënimi, por reagon mirë Rexhepi, duke dërguar topin sërish në këndore.

36’ – Greca hyn mirë në zonë dhe provon goditjen, por reagon mirë Rexhepi dhe grushton topin në këndore.

26’ – Goooool. Kastrioti kalon në avantazh falë autogolit të Dëumfour. Pas një depërtimi të Zogajt, topi shkpon te Kaina, që devijon por gjen shtyllën, teksa më pas është Dëumfour që devijon në mënyrë të pafat për ta dërguar në rrjetë.

25’ – Dajan Shehi bën një faull të panevojshëm ndaj Kaina dhe ndëshkohet me karton të verdhë.

22’ – Zguro ekzekuton një goditje dënimi, me topin që shkon drejt qendrës dhe Sali e grushton mbi kuadrat, për të mos rrezikuar. Këndore për Skënderbeun…

– Starton sfida ndonëse pak minuta me vonesë

– E çuditshme në Kamëz. Melos Bajrami dhe Bekim Dida zihen duke dalë drejt fushës dhe ndëshkohen me karton të kuq pa nisur ndeshja. Tension i madh në fushë, teksa trajnerët detyrohen të aktivizojnë dy futbollistë të tjerë…

Formacionet zyrtare:

Kastrioti: Sali, Neziri, Selmani, Dida, Rami, Onanuga, Zogaj, Hasani, Okebugëu, Greca, Kaina.

Trajneri: Emiliano Çela

Skënderbeu: Rexhepi, Bajrami, Shehi, Sadriu, Frashëri, Dëumfour, Jean Victor, Zguro, Vangjeli, Mensah, Nikaj.

Trajneri: Migen Memelli

Arbitër kryesor: Juxhin Xhaja

Asistentë: Dojando Myftari dhe Nertil Bregasi

Arbitër i katërt: Florjan Lata

VAR: Andi Koçi

AVAR: Mario Shazivari

Top Channel