Presidenti amerikan Joe Biden iu drejtua një bote të transformuar tashmë prej agresionit rus në Ukrainë.
Në fjalimin e tij mbi gjendjen e kombit, presidenti amerikan u shfaq i sfiduar të përcaktonte se çfarë është në lojë në këtë erë të re të sigurisë ndërkombëtare.
Bideni foli si një president i dobësuar politikisht brenda kufijve, por si një lider i botës së bashkuar kundër forcave pushtuese ruse. Ai u shfaq po kështu si arkitekti i një koalicioni ndërkombëtar që reagoi menjëherë ndaj vendimit të Putinit për të shkelur kufijtë e një vendi Sovran përmes sanksionesh gjunjëzuese për Rusinë dhe armatosjes së Ukrainës.
“Ne po i shkaktojmë dhimbje Rusisë dhe po mbështesim popullin e Ukrainës. Putini tashmë është i izoluar nga bota më shumë se kurrë. Ai nuk e ka idenë se çfarë e pret. Edhe pse mund të bëjë përparim në fushën e betejës, do të paguajë një çmim të lartë të vazhdueshëm në planin afatgjatë. Ne po e mbysim qasjen e Rusisë në teknologji, cka do të dëmtojë fuqinë e saj ekonomike dhe do të dobësojë ushtrinë e saj gjate viteve në vijim”, tha Biden.
Sprova me të cilën u përball Biden gjatë këtij agresioni, nuk ishte e vogël. Situata në ukrainë testoi aftësinë e tij për t`u përgjigjur me shpejtësi, por pa dërguar trupa amerikane në terren. Sondazhet më të fundit të opinionit tregojnë qartë se shumica e amerikanëve i kundërvihen një aksioni të drejtpërdrejtë ushtarak të SBA-së për të ndaluar pushtimin e Ukrainës. Kriza e detyroi Bidenin të rishkruante fjalimin e tij dhe të përqëndrohej tek bashkimi i amerikanëve rreth një përpjekjeje globale për të ndëshkuar Moskën dhe për të mbështetur Kievin.
“Gjatë gjithë historisë sonë ne kemi marrë këtë mësim, kur diktatorët nuk paguajnë një çmim për agresionin e tyre, ata shkaktojnë më shumë kaos. Lufta e Putinit ishte e paramenduar dhe e paprovokuar. Ai refuzoi përpjekjet për diplomaci. Ai mendoi se Perëndimi dhe NATO nuk do të përgjigjeshin. Dhe, ai mendoi se mund të na ndante në shtëpi tonë. Putini e kishte gabim. Ne ishim gati. Ne do ta shpëtojmë demokracinë. Nuk munguan megjithatë as kritikat për Biden nga kundërshtarët e ashpër të tij, duke nisur nga ish presidenti Donald Trump i cili deklaroi se në Ukrainë nuk duhet të kishte luftë, dhe është e tmerrshme për njerëzimin që “Biden-i, NATO dhe Perëndimi kanë dështuar kaq keq duke e lejuar atë të fillojë“, shtoi ai.
Top Channel