Policia arrestoi një 39-vjeçar pasi goditi me sende të forta një grua të moshuar në qytetin e Elbasanit.
Burimet nga policia thanë se shtetasi I.K., 39 vjeç, banues në Elbasan, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanosi dhe goditi me sende të forta shtetasen D.N., 61 vjeçe, edhe kjo e fundit banuese në qytetin e Elbasanit.
Ai akuzohet për katër vepra penale, si “Plagosje e lehtë me dashje”, “Kanosje”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prishje e qetësisë publike”.
Sipas policisë, 39-vjeçari, në bashkëpunim me djalin e tij të mitur 15-vjeçar, kanë thyer xhamat e dyqanit që ishte në pronësi të shtetases D.N.
Mësohet se i mituri është proceduar në gjendje të lirë.
Po ashtu, policia e Elbasanit arrestoi në flagrancë një 33-vjeçar, pasi akuzohet për veprën penale “drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, pasi u kap duke drejtuar mjetin, në gjendje të dehur.
Gjithashtu, njofton policia, u proceduan penalisht shtetasit A.L., 42 vjeç, dhe shtetasi H.D., 53 vjeç për veprën penale “ndërtim i paligjshëm”, pasi u konstatuan duke kryer punime ndërtimi, pa lejet përkatëse.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Top Channel