Arbër Sula, polici që vrau Jurgen Dukën në minutat e para të 14 dhjetorit në rrugën “Irfan Tomini” në Tiranë është vetëdorëzuar sot në komisariat, pas bisedimeve të vazhdueshme me policinë dhe familjarët.
Jurgen Duka (Meziri), është konfliktuar me policin Arbër Sula, i cili ishte jashtë shërbimit, ku ky i fundit e ka qëlluar me armë zjarri.
Sherri nisi për arsye banale për radhën në market, ndërsa ata po kalonin produktet në kasë.
Viktima dhe autori ishin futur në market si klientë dhe debati ka nisur se kush do paguante i pari. Pas debatit fizik, polici ka nxjerrë armën duke e qëlluar dhe lënë të vdekur të riun.
29-vjeçari mundi t’u shpëtojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë në Spitalin Universitar të Traumës.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar më parë masën “Arrest në burg” për të riun, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës.
Jurgen Duka, jetonte midis Britanisë së Madhe ku ka familjen dhe Tiranës, u konfliktua nën efektin e alkoolit me Sulën që po priste në radhë të paguante, i cili kishte ardhur për të kryer testin e drogës në kryeqytet.
Arbër Sula u frymëzua për t’u bërë polic, jo vetëm nga fakti se u rrit pak metra larg Akademisë së Sigurisë, ku prindërit e tij kanë banesën, por edhe sepse ai gjatë adoleshencës u shërbeu si kamarier policëve dhe studentëve të akademisë në lokalin përballë këtij institucioni.
Por akademia e sigurisë nuk mundi t’i sigurojë dy gjëra policit të ri, se si përdoret arma dhe vetëpërmbajtjen.
Edhe Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave nisi një hetim të veçantë nga ku rezulton se efektivi i policisë nuk ishte në detyre në çastet e ngjarjes, por pikat mbi ‘i’ për ngjarjen do t’i vendosë Prokuroria.
Mësohet se Jurgen Duka është person me precedent të mëparshëm kriminal. Në 2020-ën ai ra në pranga së bashku me Elison Hysenbelli në kuadër të operacionit anti-drogë mes Italisë dhe Shqipërisë që u zhvillua në Marche, Emilia Romagna, Lombardi dhe Liguri dhe do të ekstradohej drejt vendit fqinj për t’u gjykuar.
Gjykata e Tiranës vendosi masën “detyrim paraqitje” për Orgest Drazhin, shokun e Jurgen Dukës, i cili ishte i pranishëm në vendngjarje.
Top Channel