Gazetari Arben Manaj raportoi sot nga Londra për mënyrën se si shihet atje lufta në Ukrainë.
Sipas tij, e vetmja arsye që mund ta ndalë presidentin rus Vladimri Putin, që ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës, janë nënat ruse. Kur ato të varrosin fëmijët e tyre, Putini mund të ndalet, shprehet Manaj, në një intervistë për “Top Talk”.
“Unë nuk pres që Putini të tërhiqet për shkak të protestave të brendshme që mund të ndodhin në Rusi kundër një politike të tillë agresive e cila thellë thellë i bën me turp shumë njerëz në Rusi. Putini ka arritur deri më sot të shkatërrojë të gjithë infrastrukturën politike dhe opozitare në vend. Ai popull nuk ka jetuar në demokraci, pasi janë breza të tërë që janë rritur nën presion nën sundimin e kultit të individit. Ata njerëz janë të trysnuar për të shprehur mendimet e tyre dhe nuk e shikoj efektin që popullsia ruse mund të ketë tek Putini me këto lloj protestash. E vetmja gjë që unë kam besim se do të mund ta ndryshojë deri diku politikën e Putinit do të jenë nënat ruse të cilat kur të shikojnë që fëmijët e tyre do të vijnë me arkivole ose qese plasmasi në Rusi. Edhe pse thuhet se Putini ka krijuar krematorium mobile në kufi me Ukrainën për djegien e trupave të ushtarëve të vrarë e cila është shokuese. Për Putinin flitet për rrethin e ngushtë. Nuk ka rreth të ngushtë Putini. Putini është Putini”, u shpreh Arben Manaj.
Ndërkohë, forcat ukrainase janë gati për përballjen me trupat ruse, ndërsa janë rreshtuar në autostradën e rrugët e Kievit. Forcat ruse tani mendohet se janë brenda qytetit, megjithëse vendndodhja dhe numri i tyre i saktë është i paqartë.
Përballjet u raportuan në Obolon, në periferi të qytetit, ndërsa rusët janë parë edhe në rrethet Vorzel, Bucha, Irpen.
Trupat ruse mendohet se kanë mbërritur nga verilindja, pasi janë shtyrë nga Çernobili, i cili u mor dje vonë. Më shumë trupa ruse dhe forca të blinduara po përparojnë drejt kryeqytetit nga Konotop, në lindje, duke lënë qytetin e Chernihiv, ku u përplasën me rezistencën e Ukrainës.
Top Channel