Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov thotë se Rusia është gati për bisedime me Ukrainën në Minsk, kryeqyteti i Bjellorusisë.

Por ai tha se kjo do të duhej të kishte të bënte me shpalljen e një “statusi neutral” të Ukrainës  i cili përfshin çmilitarizimin.

Rusia gjatë gjithë kohës ka dashur që Ukraina të përjashtojë mundësinë e anëtarësimit në NATO.

Presidenti i Ukrainës ka bërë thirrje për bisedime me Vladimir Putin, por nuk ka asnjë tregues se ai do të pranojë bisedimet mbi këtë bazë.

Minsku është i rëndësishëm sepse aty u nënshkruan marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit në lindje të Ukrainës që shpërtheu në vitin 2014.

Duke pushtuar Ukrainën, lideri rus shihet se i ka prishur ato marrëveshje.

Më herët ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov tha se nuk mund të mbahen bisedime derisa ushtria ukrainase të lëshojë armët.

Forcat ukrainase janë gati për përballjen me trupat ruse, ndërsa janë rreshtuar në autostradën e  rrugët e Kievit.

Forcat ruse tani mendohet se janë brenda qytetit, megjithëse vendndodhja dhe numri i tyre i saktë është i paqartë.

Përballjet u raportuan në Obolon, në periferi të qytetit, ndërsa rusët janë parë edhe në rrethet Vorzel, Bucha, Irpen.

Trupat ruse mendohet se kanë mbërritur nga verilindja, pasi janë shtyrë nga Çernobili, i cili u mor dje vonë.

Më shumë trupa ruse dhe forca të blinduara po përparojnë drejt kryeqytetit nga Konotop, në lindje, duke lënë qytetin e Chernihiv, ku u përplasën me rezistencën e Ukrainës.

Anton Herashchenko, një këshilltar i ministrit të brendshëm të Ukrainës tha se sot do të jetë “dita më e vështirë” e luftës.

Sapo Kievi të rrethohet, inteligjenca amerikane beson se plani do të jetë që forcat speciale ruse të hyjnë dhe të marrin një aeroport me gjasë Sikorsky ose Boryspil,  i cili më pas do të përdoret për fluturimin e 10,000 avionëve që do të sulmojnë.

Top Channel