“BE të caktojë datën e Konferencës së parë me Shqipërinë”/ Zhvillohet Takimi i 14-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit BE-Shqipëri

23/02/2022 19:01

Në datat 23 dhe 24 shkurt në Tiranë mbahet takimi i 14-të i Komisionit Parlamentar të Stabilizim Asocimit (SAPC) BE-Shqipëri, me pjesëmarrjen e dy delegacioneve përkatëse të Parlamentit Europian dhe Kuvendit të RSH-së. Takimi u drejtua nga dy Bashkë-Kryetarët e Delegacioneve,  përkatësisht për Shqipërinë z.Taulant Balla dhe për delegacionin e Parlamentit Europian, z.Manolis Kefalogiannis.

Anëtarët e Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit në mbledhjen e të mërkurës trajtuan disa çështje të caktuara që lidhen veçanërisht me marrëdhëniet BE-Shqipëri, progresin për sundimin e ligjit, duke përfshirë këtu edhe reformën në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit. Një çështje tjetër e trajtuar janë edhe të drejtat themelore, duke përfshirë të drejtat e pakicave dhe lirinë e medias. Në fokus të këtij takimi do të jetë edhe dialogu politik dhe reforma zgjedhore, por nuk do mungojnë as temat që lidhen me shëndetin, veçanërisht duke përfshirë pasojat e krijuara nga pandemia Covid-19. Në fokus të takimit të 14-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asocimit do të jetë edhe energjia dhe çështjet mjedisore, por pa diskutim një vëmendje të madhe do të marrë edhe bashkëpunimi rajonal.

Komisioni ka adresuar disa rekomandime për Këshillin e Stabilizim Asocimit, institucionet shqiptare dhe atyre të Bashkimit Europian.

Por ajo çfarë vihet re në draftin paraprak është rekomandimi për vendet anëtarë të Bashkimit Evropian që në bazë të performancës dhe meritës të bien dakord për të miratuar kornizën negociuese me qëllim caktimin e një date për Konferencën e parë Ndërqeveritare.

Këshilli nuk e ka caktuar ende datën për Konferencën e parë Ndërqeveritare; prandaj u bën thirrje vendeve anëtare të BE-së në bazë të performancës së meritës që të bien dakord të miratojnë kornizën negociuese dhe të caktojnë datën për Konferencën e parë Ndërqeveritare dhe, në përputhje me Vendimin e Këshillit të datës 25 mars 2020, të miratuar nga Këshilli Evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë”, nënvizohet në draftin e paraqitur nga Komisioni. 

Komisioni nënvizon rëndësinë e avancimit të një perspektive të besueshme të anëtarësimit në BE si një faktor kyç për ruajtjen e besimit publik dhe përkushtimin për të vazhduar me zbatimin e reformave gjithëpërfshirëse dhe transformuese, duke kujtuar mbështetjen që Parlamenti Europian i ka dhënë rrugës evropiane të Shqipërisë, veçanërisht në rezolutën e fundit të datës 25 mars 2021, ku nënvizon mbështetjen e tij për thirrjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare pa vonesa të tjera.

Komisioni thekson se integrimi europian përfaqëson aspiratat e brezave të qytetarëve shqiptarë drejt demokracisë dhe prosperitetit dhe se perspektiva e anëtarësimit në BE, bazuar në merita, kontribuon në stabilitetin politik, sigurinë dhe rritjen ekonomike të vetë BE-së. Por nuk harron të nënvizojë edhe rëndësinë e vlerave dhe reformave evropiane në luftën kundër ndërhyrjeve dhe keqinformimit të vendeve të huaja që tentojnë të destabilizojnë rajonin.

Po ashtu, Komisioni nuk ka harruar të përshëndesë ecurinë e reformës në drejtësi, e cila sipas tij përfaqëson një hap kyç drejt një sistemi gjyqësor të lirë dhe të pavarur duke krijuar kështu një bazë solide për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Komisioni mirëpret edhe fillimin e ushtrimit të funksioneve të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe SPAK-ut, por nuk harron të vlerësojë edhe arritjen e rezultateve të vettingut, duke vlerësuar punën e kryer nga institucionet e vettingut dhe bashkëpunimin me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit dhe Komisionerin Publik.

Aty vlerësohet Shqipëria për sa i përket dialogut me qëllimin krijimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, duke nënvizuar më tej rëndësinë e përfshirjes së nismave rajonale, por pa harruar të kujtojë se marrëdhëniet e mira mes vendeve fqinje dhe stabiliteti rajonal janë elementet thelbësorë që ndihmojnë në procesin e marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit.

Top Channel