“Vjellin vrer nëpër televizione se mendon që do kapin ndonjë vilë a ndonjë zarf”, Veliaj reagon edhe për opozitën: Imagjinoni të futet Noka e goca e Saliut në Bashki

01/05/2024 14:49

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nga Liqeni i Farkës për 1 Maj, komentoi analistët e ftuar në studio televiziove dhe protestën e opozitës, para bashkisë.

Veliaj e nisi duke përmendur Ditën e Punëtorëve, ditë që sipas tij “nuk është për ata që komentojnë, analistët, apo llapaqenërisë së ekraneve”, siç i quan ai.

“Sot është një ditë feste, një ngjarje që u kushtohet jo atyre që flasin, jo atyre që komentojnë, jo atyre që bëjnë analistin, jo llapaqenerisë së ekraneve, por atyre që punojnë! Të rrish në studio e të japësh mend se në Tiranë nuk bëhet asnjë punë, pasi je bërë llucë në kazino, është kollaj. Nga divani të gjithë janë mjeshtra, tregojnë edhe si qeveriset bota, planeti dhe universi”, u shpreh Veliaj.

“Për të gjithë ata që shtyhen dhe çirren, për të gjithë ata që vjellin vrer non stop nëpër televizione për Bashkinë e Tiranës, nuk e kanë me ju, se e shijojnë lezetin që u është rritur vlera pronës e shtëpisë, e kanë me mua, se duke i rënë kryetarit mendojnë se kapin ndonjë vilë tjetër, se kapin ndonjë një zarf tjetër; duke i rënë kryetarit mendojnë se do dorëzohem e do lodhem dhe do ta ndërpres këtë kontribut. Tirana do shkojë lart e më lart, hijenat do shkojnë poshtë e më poshtë. Puna do vlerësohet gjithmonë e më shumë dhe llapaqenëria do vlerësohet gjithmonë e më pak”, shtoi kryebashkiaku..

Për sa i përket protestës, Veliaj tha se bashkia nuk është godina, por njerëzit që punojnë aty.

“Kur mendoj se një pjesë e vogël ende beson te vandalizimi, te sherri, te molotovi, te shtyrja e policëve, harrojnë se bashkia nuk është ajo godina ku kam zyrën unë. Bashkia janë njerëzit, bashkia janë punëtorët, bashkia janë projekte, bashkia është ky komunitet që i ka dhënë dashuri, cilësi dhe një kontribut të jashtëzakonshëm. Këta janë bashkia, nuk është një ndërtesë. Futu në ndërtesë, por çfarë do bësh? Imagjinoni të futet Mul Noka në ndërtesë, çfarë do bëjë? S’ka drejtuar ndonjëherë shtet, s’ka bërë ndonjëherë prokopi. Imagjino të futet goca e Saliut dhe çuni i Fariut… futuni, është një ndërtesë, por nuk është ndërtesa institucioni. Institucioni, bashkia e qytetit, janë njerëzit e mrekullueshëm që punojnë përditë e përditë”, tha Veliaj.

Top Channel