Çfarë është Donbass dhe si funksionojnë dy republikat e vetëshpallura të Donetskut dhe Luhanskut

20/02/2022 18:16

Forcat ushtarake që Rusia ka mobilizuar në afërsi të kufirit me Ukrainën javët e fundit ndodhen kryesisht në Bjellorusi, një vend aleat, por vëmendja e komunitetit ndërkombëtar është e drejtuar edhe në një zonë tjetër kufitare, atje ku në fakt ka pasur një luftë që nga viti 2014: e ashtuquajtura Donbass, një rajon i Ukrainës lindore ku ndodhen dy republikat e vetëshpallura të Donetskut dhe Luhanskut, territore zyrtarisht ukrainase që drejtohen nga separatistët e mbështetur nga Rusia.

Donbassi është një rajon historik në kuptimin që s’korrespondon me një ndarje administrative aktuale. Në vend të kësaj, rajoni ndahet zyrtarisht mes tre nga 24 rajonet ukrainase: ai i Luhanskut, më në lindje, ai i Donetsk dhe ai i Dnipropetrovsk më në perëndim. I gjithë Donbasi filloi të quhej kështu nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, kur rajoni mori një rëndësi të veçantë ekonomike falë depozitave të shumta të qymyrit.

Që kur Rusia pushtoi gadishullin e Krimesë në Ukrainën jugore në vitin 2014 dhe përfundoi duke e aneksuar atë, pjesë të rajonit të Luhanskut dhe rajonit të Donetskut, rreth një e treta e të gjithë Donbasit, kanë dalë jashtë kontrollit të shtetit ukrainas; në atë periudhë Rusia nxiti, armatosi, ndihmoi dhe financoi grupe ushtarake pro-ruse edhe në lindje të Ukrainës, duke lejuar kështu rebelët e Donbasit të merrnin kontrollin e një pjese të territorit.

Këta të fundit, shpallën pavarësinë e tyre nga Ukraina dhe organizuan referendume në përpjekje për t’u bashkuar me Rusinë. Ata donin të realizonin atë që kishte ndodhur në Krime (një aneksim, megjithatë i pa njohur nga komuniteti ndërkombëtar). Udhëheqësit rebelë thonë se 89 për qind e votuesve të të ashtuquajturës republika e Donetsk ishin në favor të aneksimit, si dhe në të ashtuquajturën republika e Luhanskut, përqindja sipas rebelëve, ishte 96 për qind.

Para pushtimit të Krimesë, nuk kishte asnjë lëvizje politike në Donbass që kërkonte aneksimin me Rusinë, por ekzistonin kushtet që një kërkesë e tillë të kishte mbështetje tek popullsia vendase, kjo për shkak të kushteve ekonomike të krijuara, veçanërisht në një rajon si Donbasi, ku vite më parë njerëzit jetonin në kushte më të mira ekonomike falë industrisë së qymyrit.

Për këtë arsye, ndër vite u përhap ideja se gjërat do të përmirësoheshin nëse rajonet e Donetskut dhe Luhanskut do të bëheshin sërish pjesë e Rusisë. Gjithashtu, sepse shumë nga banorët e Donbasit janë rusë etnikisht dhe kulturalisht.

Në fillim të vitit 2015, marrëveshjet e Minskut vendosën fundin e luftimeve dhe kthimin e rajoneve rebele në Ukrainë, në këmbim të autonomisë së tyre. Por, megjithëse kjo marrëveshje u nënshkrua nga dy qeveritë, ajo nuk u respektua kurrë. Luftimet vazhduan intensivisht, deri në fund të atij viti; që atëherë vija e frontit, rreth 400 kilometra e gjatë, ka mbetur pak a shumë e pandryshuar dhe luftimet janë më të shpeshta dhe më të përhapura, por Donbass vazhdon ende të jetë një zonë lufte e plotë, me llogore dhe qytete të braktisura, pasi ndodhen përgjatë vijës së frontit. Gjatë viteve, veçanërisht mes 2014 dhe 2015, më shumë se 13 mijë persona kanë vdekur, si ushtarakë ashtu edhe civilë dhe shumë familje janë detyruar të braktisin shtëpitë dhe qytetet e tyre.

Qeveria ukrainase i përcakton dy republikat e vetëshpallura si “territore të pushtuara përkohësisht” nga Rusia dhe e quan frontin “vijë administrative”. Rusia, nga ana tjetër e cilëson konfliktin në Ukrainën lindore si një luftë civile. Megjithatë, ndarja aktuale e rajoneve të Donetskut dhe Luhanskut nuk pasqyron dallimet e hershme kulturore, etnike apo historike, por ajo është rezultat i konfliktit të shtatë viteve më parë.

Edhe pse zyrtarisht të dy rajonet drejtohen nga liderët ukrainas, Rusia ushtron kontroll të fortë. Ata që jetojnë në dy republikat e vetëshpallura ftohen të aplikojnë për shtetësi ruse dhe të braktisin atë ukrainase dhe mund të votojnë në zgjedhjet ruse edhe nëse nuk kanë shtetësi aktuale. Hryvnia ukrainase nuk përdoret si monedhë, por rubla dhe gjuha ukrainase është e ndaluar, siç është edhe festimi i festave të Ukrainës.

Organizatat ndërkombëtare në përgjithësi nuk lejohen të hyjnë në zonat e shkëputura të Donetsk dhe Luhansk, kështu që shumica e informacionit për jetën në të dy rajonet vjen nga dëshmitë e refugjatëve që largohen prej tyre dhe nga mesazhet e transmetuara përmes rrjeteve sociale.

Dihet se popullsia vuan nga mungesa e mallrave të konsumit dhe mungesa e shërbimeve, ndërsa shpreson për aneksim të vërtetë nga Rusia me idenë se mund të përmirësohet cilësia e jetesës së tyre. Qeveria ruse, megjithatë, nuk është shfaqur kurrë e interesuar për të realizuar një aneksim dhe krejt ndryshe nga Krimeja, Donbasi nuk është një rajon me rëndësi strategjike pasi burimi i tij kryesor ekonomik, qymyri, ka pak rëndësi aktualisht për Rusinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA