Ushtria e Meksikës rrethon qytezën e kreut të kartelit të drogave (fotot)

19/02/2022 16:36

Ushtria e Meksikës tha sot se ka marrë kontrollin e qytetit të lindjes së një kreu të fuqishëm të kartelit të drogave në shtetin Michoacán, në perëndim të vendit.

Nemesio Oseguera Cervantes – i njohur ndryshe si “El Mencho” – ka lindur në qytezën e Naranjo de Chila, Aguililla, dhe kërkohet si nga Meksika ashtu dhe nga SHBA.

Kohët e fundit minat e tokës të vendosura nga bandat rivale kanë vrarë një person dhe kanë plagosur disa të tjerë.

Mjetet e ushtrisë dhe grupet e zbulimit të minave janë duke patrulluar qytetin.

“El Mencho”, i cili drejton kartelin e fuqishëm ‘Jalisco Nueva Generation’ është në arrati prej vitesh.

Banda e tij është një nga më të frikshmet në vend dhe ka sulmuar disa herë forcat e sigurisë, siç ishte prita e vitit 2015 në Jalisco ku mbetën të vrarë 15 oficerë policie, apo dhe atentati kundër kreut të policisë së Meksikës në 2020.

Karteli është përhapur që prej bastionit të tij në shtetin e Jalisco, duke pasur një prezencë thuajse kombëtare.

Në bashkinë e Aguililla, karteli lufton prej vitesh kundër rivalëve të kartelit Los Viagras.

Në luftën e tyre për territor ata kanë përdorur dronë me eksploziv, mina tokësore dhe mjete të ndryshme shfarosjeje.

Dy mina toke kanë shpërthyer javët e fundit, njera duke plagosur disa ushtarë  dhe tjetra duke vrarë një fermer vendas.

Ishte pas këtyre shpërthimeve që trupat ushtarake hynë në zonë, raporton rrjeti spanjoll  EFE.

Shteti i Michoacán është një territor i lakmuar për trafikun e drogave ku disa banda luftojnë për kontrollin e prodhimit e shpërndarjes së drogave.

Prej dhunës e mungesës së stabilitetit në zonë, shumë banorë janë larguar duke shpresuar të emigrojnë në SHBA.

FOTO GALERI
2/3
Kohët e fundit minat e tokës të vendosura nga bandat rivale kanë vrarë një person dhe kanë plagosur disa të tjerë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA