Ambasada amerikane në Tiranë ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që nuk e shkarkoi kreun e shtetit Ilir Meta dhe rrëzoi vendimin e Kuvendit të Shqipërisë.

Duke komentuar vendimin e mos-shkarkimit të presidentit Ilir Meta, Ambasada e SHBA në Tiranë thotë se “Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, e cila u bë funksionale në dhjetor të vitit 2020, po demonstron aftësinë për të përmbushur funksionin e saj parësor dhe thelbësor duke shqyrtuar faktet dhe argumentet e paraqitura nga palët përkatëse, duke diskutuar mbi këto fakte dhe argumente në bazë të Kushtetutës dhe duke dhënë vendime që pasqyrojnë pavarësi dhe integritet.

Shtetet e Bashkuara nënvizohet në këtë reagim, mbështesin fuqimisht zbatimin e reformës në drejtësi, përfshi një gjyqësor profesional, të pavarur, si institucion thelbësor për të garantuar shtetin ligjor, si dhe ndarjen dhe balancimin e pushteteve.

Kujtojmë se, Gjykata Kushtetuese ka vendosur të mos shkarkojë presidentin Ilir Meta. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është publikuar në faqen e saj, ndërsa vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore.

Në njoftimin e saj Gjykata Kushtetuese shpjegon se “pasi verifikoi procedurën e ndjekur nga Kuvendi për ngritjen e komisionit hetimor, garantimin e së drejtës së Presidentit për t`u dëgjuar dhe për t`u mbrojtur dhe duke mbajtur në konsideratë pavarësinë organizative të Kuvendit, në tërësi konstatoi se nuk ka pasur shkelje kushtetuese gjatë kësaj procedure”.

Gjatë procesit, këshilltarët ligjorë të Kreut të Shtetit e mbështetën në mënyrë të veçantë mbrojtjen e tyre, pikërisht te shkeljet e rënda që sipas tyre ishin kryer nga parlamenti që nga momenti i shqyrtimit të kërkesës së deputetëve që vunë në lëvizje parlamentin, deri në marrjen e vendimit.

Nga ana tjetër, shkeljet e pretenduara nga përfaqësuesit e shumicës socialiste, për Gjykatën Kushtetuese nuk mund të konsiderohen si shkelje të rënda të Kushtetutës

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA