Si mund të ndodhë një çtensionim i situatës në Ukrainë?

16/02/2022 13:41

Duket se qeveria ruse e Vladimir Putin ka lëshuar sinjale çtensionimi të situatës në lidhje me kërcënimin që kishte krijuar pas grumbullimit të mbi 100 mijë ushtarëve në kufi me Ukrainën.

Putin, njoftoi tërheqjen e pjesshme të disa trupave nga kufiri, pavarësisht se ishte e vështirë të konfirmohej vërtetësia e lajmit, shumë liderë europianë e panë të nevojshme që të vazhdohet me negociatat për të gjetur një zgjidhje diplomatike. Sigurisht, mundësia që Putin të vendosë të pushtojë Ukrainën është ende shumë reale.

Disa analistë mendojnë se shqetësimi kryesor i Putinit është afrimi i Ukrainës me Perëndimin, që mund të materializohet me anëtarësimin në NATO, aleancën kryesore ushtarake që mban të bashkuara vendet perëndimore.

Këto të fundit kanë qenë prej vitesh të vetëdijshme se hyrja e Ukrainës në NATO kërkon shumë kohë, pavarësisht se data e anëtarësimit u shpall si e afërt në vitin 2008 për shkak të një detyrimi të presidentit të atëhershëm të SHBA-së, George W.Bush. Rusia e konsideron Ukrainën si një pjesë themelore e zonës së saj të ndikimit dhe sipas disa analistëve, rritja e tensionit gjatë ditëve të fundit synon pikërisht marrjen e një garancie nga vendet perëndimore.

Pra, disa syrësh mendojnë se mënyra për të ulur në mënyrë drastike tensionet dhe për të arritur një çtensionim të situatës kalon pikërisht përmes marrëdhënieve të krijuara mes NATO-s dhe Ukrainës, por edhe nevojës për të gjetur një ekuilibër mes nevojave të Rusisë dhe atyre të Perëndimit, të cilat në çdo rast duken shumë larg.

Në bisedën e fundit telefonike mes Putin dhe Biden thuhet se biseda u përqendrua tek një listë koncesionesh që Shtetet e Bashkuara mund t’i japin Rusisë për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës, por një listë e tillë nuk u zbulua.

Për ditë të tëra, analistët dhe ekspertët e politikës ndërkombëtare pyesin se cila mund të jetë, me pak fjalë, rruga diplomatike për të dalë nga tensionet e këtyre ditëve.

Në politikën e jashtme, analistja e Këshillit Atlantik, Emma Ashford, shkruajti se Rusia dhe Perëndimi mund “të gjejnë një mënyrë për t’u angazhuar për të parandaluar anëtarësimin e Ukrainës në NATO në një periudhë të shkurtër. Një zotim për të mos dërguar trupa ose për të mos ndërtuar baza të NATO-s në Ukrainë, ose një moratorium bashkëpunimi ushtarak mes Ukrainës dhe NATO-s, e cila mund të jetë një mënyrë për t’i dhënë Rusisë atë që dëshiron dhe NATO pa hequr dorë nga politika me dyer të hapura, ku çdo vend mund t’i bashkohet aleancës, nëse pranon të respektojë parimet e saj të sigurisë. Ose Perëndimi mund të besonte se Putini nuk e mendoj asnjëherë pushtimin e Ukrainës, por situata doli jashtë kontrollit dhe se ai thjesht ka nevojë për një mënyrë për të dalë nga problemet pa u turpëruar, pasi duhet pasur parasysh se besueshmëria e tij në popull ka ardhur duke rënë vitet e fundit”.

Megjthatë, mbetet ende shumë e paqartë, nëse Rusia pret që Perëndimi të bëjë kthesë, veçanërisht pas njoftimit të tërheqjes së pjesshme të trupave ushtarake, apo nëse këto ditë do të shërbejnë për të ulur tensionet dhe për të arritur në një klimë më relaksuese.

Tre ditë më parë, Putin dhe Lavrov folën në mënyrë të veçantë për një dokument që do përfshinte disa kërkesa dhe që do kërkonin zgjidhje nga Perëndimi. Në lidhje me këtë, një zëdhënës i Putinit, i tha Nju Jork Times se Rusia do të njoftojë se kur ato do të bëhen publike, por një gjë e tillë tani për tani është në dorën e Presidentit rus.

Top Channel