Ylber Llozhi ankohet në emisionin Fiks Fare se nuk po e riçertifikojnë si punonjës shërbimi edhe pse i plotëson kriteret ai tregon se figuron i padënuar dhe se është certifikuar njëherë në vitin 2017. Por duke qenë se këto çertifikata ripërtëriten çdo 4 vite, atëherë qytetari ka kërkuar diçka të tillë, por nuk i është miratuar.
Z.Llozhi thotë se po i bëhet një padrejtësi nga Komisariati nr. 5 Kamëz, sepse ky i fundit nuk di çfarë informacioni ka dërguar që e ka penalizuar. “Kam shkuar në Drejtorinë e Policisë për të kërkuar të drejtën time, por aty më kanë thënë se shko në Komisariatin Kamëz, sepse ata na e kanë dërguar informacionin, ata e kanë bërë gabimin” thotë Ylberi.
Gazetarëve të Fiksit z.Llozhi u tregon dokumentin ku rezulton se gjendja e tij gjyqësore është i padënuar më parë.
Çertifikimi i duhet për të punuar roje dhe me sytë e mbushur me lot rrëfen se kjo është e vetmja rrogë me të cilën mund të mbajë frymën e familjes së tij gjallë!
Qytetari thotë se asnjë nuk i jep zgjidhje ndaj shpresën e ka vetëm tek Fiksi! Bashkëpunëtorët e Fiksit shoqërojnë qytetarin në Komisariatin Kamëz, punonjësi i policisë i thotë të kemi sqaruar 1 milion herë, dhe nuk i japin asnjë përgjigje se çfarë rezulton në sistem në të dhënat e tij dhe çfarë informacioni kanë përcjellë në Drejtorin e Policisë.
Ndërkohë qytetari shkon dhe në Drejtorinë e Policisë ku i thonë se është bërë një gabim në mbiemër dhe mund ta rregullojnë, por nuk ka lidhje me refuzimin e kërkesës për certifikim, pasi kjo është çështje e komisariatit.
Gazetarët e Fiksit shkojnë në Komisariatin Kamëz për të marrë një përgjigje zyrtare për rastin, po ashtu kërkojnë përgjigje dhe në Drejtorinë e Policisë, kjo e fundit premton trajtimin e rastit me qëllim zgjidhjen.
Qytetari rikthehet në Fiks dhe sqaron se pasi gazetarët kanë vajtur në komisariat ai është thirrur nga shefi i komisariatit ku i është premtuar zgjidhja e problemit. Madje tregon se pret vetëm komisionin për çertifikim, pasi komisariati i ka bërë veprimet. Ai falenderon Fiksin pasi sipas tij ishte sorollatur 4 muaj pa rezultat. “Kam 4 muaj pa punë, dhe nuk po gjeja zgjidhje, falenderoj shumë emisionin Fiks Fare” përfundon qytetari.
Top Channel