Konferenca/ Putin: Rusia nuk do luftë, por NATO jo deri në kufijtë tanë. Scholz: Integriteti territorial i Ukrainës “i panegociueshëm”

15/02/2022 15:29

Presidenti rus Vladimir Putin dhe kancelari gjerman Olaf Scholz përfunduan konferencën e tyre për shtyp këtë të martë pas takimit që zhvilluan “kokë më kokë” në Moskë.

Para gazetarëve Putin deklaroi se Rusia nuk e dëshiron një luftë me Ukrainën dhe është e gatshme të vazhdojë furnizimin e gazit përmes Ukrainës, pas vitit 2024.

Në fjalën e tij, shefi i Kremlinit vuri në dukje se autoritetet gjermane po certifikojnë gazsjellësin Nord Stream 2, i cili ka qenë krejtësisht funksional nga pikëpamja teknike duke filluar që nga muaji dhjetor.

“Tubacioni do të sjellë gazin rus në Gjermani përmes Balltikut. Ajo që po ndodh në Donbas është gjenocid”, sqaroi Putin, duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me kërkesën e Dumës për të njohur dy republikat e ashtuquajtura pro-ruse, Luhansku dhe Donetsk.

Ai theksoi se Rusia është e gatshme të “vazhdojë bisedimet” për çështjet e raketave, por nuk do të pranojmë zgjerimin e NATO-s deri në kufijtë tanë, pasi e konsiderojmë si një kërcënim.

Putin deklaroi se Gjermania është një ndër partnerët kryesorë të Kremlinit.

Përgjigjet e Aleancës për sigurinë deri më tani nuk i plotësojnë kërkesat tona, por ka të dhëna që diskutimet mund të avancojnë.

Nord Stream 2 – përfundoi Putin – “është një projekt komercial dhe nuk ka asnjë konotacion politik”.

Olaf Scholz, nga ana e tij, shtoi se është e nevojshme “të gjendet një zgjidhje paqësore për krizën. Një luftë në Evropë është e paimagjinueshme ” .

Ajo që shqetëson Gjermaninë (dhe jo vetëm) është prania e “aq shumë trupave në kufi” me Ukrainën.

Njoftimi i fillimit të tërheqjes së trupave ruse është “një shenjë e mirë” dhe se përpjekjet diplomatike “ende nuk kanë përfunduar”.

Kancelari gjerman theksoi se integriteti territorial i Ukrainës është “i panegociueshëm”, duke deklaruar se bisedimet mes palëve nuk duhet të vijnë nga një rrugë qorre.

Marrëdhëniet e Berlinit me Moskën

Gjermania u gjend në një situatë të vështirë përballë kërcënimit të një pushtimi rus të Ukrainës. Ajo është edhe anëtare e NATO-s edhe një partnere e rëndësishme tregtare e Rusisë.

Scholzi udhëtoi për në Moskë nga Kievi, ku takoi presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy për të forcuar mbështetjen e Berlinit përballë agresionit rus.

Berlini ka deklaruar vazhdimisht mbështetjen e tij për sovranitetin ukrainas, por ka qenë më pak entuziast për kërcënimet për të braktisur gazsjellësin e diskutueshëm Nord Stream 2, i cili do të sillte gazin rus direkt në Gjermani.

Gjermania është kritikuar gjithashtu për refuzimin për t’i shitur armë Kievit, pasi rajoni është një zonë konflikti aktive.

 

Top Channel