Firma e kontabilitetit që përgatiti deklaratat vjetore të taksave të ish-Presidentit Donald Trump thotë se këto dokumenta, të përdorura për të siguruar kredi të mëdha dhe për të rritur imazhin e tij si një sipërmarrës i pasur, “nuk duhet të konsiderohen më të besueshme”, pasi prokurorja e përgjithshme e Nju Jorkut tha se ata kishin raportuar rregullisht vlerën e gabuar të pasurive.
Në një letër drejtuar avokatit të Organizatës Trump më 9 shkurt, kompania Mazars USA LLP këshillon që të informohet kushdo që ka marrë këto dokumenta se ato nuk duhen përdorur për të vlerësuar gjendjen financiare të kompanisë dhe të ish-presidentit.
Letra u dërgua vetëm pak javë pasi Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James, tha se zyra e saj zbuloi evidencë se zoti Trump dhe kompania shfrytëzuan vlerësimin “e gënjeshtërt dhe mashtrues” të vlerës së klubeve të golfit, kullave dhe pronave të tjera, me qëllimin për të përfituar hua dhe ulje të taksave.
“Megjithëse nuk kemi konkluduar që deklaratat e ndryshme financiare, në tërësinë e tyre, të përmbajnë mospërputhje materialesh, bazuar në tërësinë e rrethanave besojmë se këshilla jonë që të mos mbështeteni tek këto deklarata financiare është e përshtatshme”, shkruan juristi i kompanisë Mazars, William J. Kelly, në letrën drejtuar homologut të tij të Organizatën Trump, Alan Garten.
Zoti Kelly thotë se kompania Mazars e kreu punën e saj për këto deklarata financiare “në përputhje me standartet profesionale”, por se nuk mundet më të mbështesë këto dokumenta pas gjetjeve të fundit nga zonja James dhe nga vetë hetimet e kësaj kompanie.
Zoti Kelly e informon gjithashtu zotin Garten se kompania Mazars nuk mundet më të vazhdojë bashkëpunimin me zotin Trump, për shkak të një konflikti interesi dhe se e ka inkurajuar të kërkojë një kompani tjetër për të përgatitur deklaratën e taksave.
Kompania Mazars thotë se konkluzionet e saj kanë të bëjnë me deklaratat financiare të zotit Trump për periudhën 2011 – 2020. Sipas të dhënave të paraqitura në gjykatë, deklarata e tij e taksave për vitin 2021 u përgatit nga një tjetër kompani kontabiliteti.
Zyra e zonjës James përfshiu një kopje të letrës së zotit Kelly në një padi në gjykatë të hënën, ku ajo kërkon zbatimin e një fletëthirrjeje për zotin Trump dhe dy nga fëmijët e tij që të dëshmojnë në kuadrin e një hetimi civil që ajo po zhvillon. Argumentat do të dëgjohen nga Gjykatësi Arthur Engoron ditën e enjte.
Edhe prokuroria e rajonit të Manhatanit po kryen një hetim paralel penal për praktikat e biznesit të zotit Trump.
Zoti Trump i ka paraqitur Deklaratat e Gjendjes Financiare, të cilat shërbejnë për të paraqitur gjendjen e pasurive të tij, në banka për të përfituar qindra miliona dollarë kredi për pronat, si p.sh. një godinë zyrash në Wall Street dhe një pistë golfi në Florida, si dhe në revistat financiare për të justifikuar renditjen e tij mes njerëzve më të pasur në botë.
Nëpërmjet një deklarate, Organizata Trump u shpreh se letra e zotit Kelly “konfirmon se pas një rishikimi të të gjitha deklaratave të mëparshme të gjendjes financiare, puna e kompanisë Mazars është bërë në përputhje me të gjitha standartet dhe parimet e kontabilitetit dhe se këto deklarata të gjendjes financiare nuk përmbajnë mospërputhje thelbësore. Ky konfirmim ngre pikëpyetje mbi hetimet e prokurorit të rajonit dhe të prokurores së përgjithshme”./VOA/
Top Channel