Ka frakturë në këmbë, Newcastle humb futbollistin që bleu në janar

14/02/2022 13:35

Lajme të këqija nga infermieria e Newcasle United. Anësori Kieran Trippier mësohet se ka frakturë në këmbë dhe për rrjedhojë do të qëndrojë për një kohë të gjatë jashtë fushave të blerta.

31-vjeçari vështirë se mund të kthehet brenda sezonit aktual, megjithatë te “Magpies” kanë shpresë se të paktën në sfidat e fundit mund të japë kontribut.

Mediet angleze shkruajnë se u konfirmua frika e trajnerit Eddie Howe, pasi mbrojtësi i djathtë u detyrua të largohej gjatë pjesës së dytë të ndeshjes së fituar 1-0 ndaj Aston Villas.

Trippier kishte shënuar golin që rezultoi të ishte ai i fitores me një goditje dënimi, i dyti për të brenda javës pas finalizimit në fitoren 3-1 ndaj Evertonit.

31-vjeçari është i detyruar t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale në këmbën e majtë, pasi ka thyer metatarsin e pestë. Humbja e “yllit” të Anglisë është një problem i madh për Eddie Howe, i cili e kërkoi me ngul gjatë merkatos së janarit.

Newcastle është i pamposhtur në katër ndeshje me Trippier në skuadër dhe ka grumbulluar 10 pikë, duke i larguar disi zonës së ftohtë.

Top Channel