Iniesta “kthehet” te Barça: Është shtëpia ime, e ardhmja ime e lidhur me futbollin

14/02/2022 14:57

Iniesta nuk e harron Barcelonën. Ish-mesfushori “blaugrana”, i cili luan për skuadrën japoneze, Vissel Kobe, ndjek nga afër të gjitha lajmet rreth klubit të zemrës.

Ai nuk e përjashton mundësinë e kthimit në “Camp Nou” në të ardhmen, siç i zbuloi gazetari Gerard Romero.

“Do të doja të kthehesha në Barcelonë. Do të doja të ndihmoja klubin, po është e vështirë të parashikosh se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.”

E ardhmja: “Barça është shtëpia ime dhe nuk mund të jem askund më mirë. Sot më pëlqen të mendoj shumë për të luajtur. Kjo është ajo që më magjeps më shumë. Koha po vrapon kundër meje, por nuk e di se ku do të jem kur “të var këpucët”. Shumë herë më shkon në mendje se do të doja të merrja licencën e trajnerit ose të përgatitesha për të qenë drejtor sportiv. Të ardhmen dua ta lidh me futbollin.”

Barcelona: “Unë dua të njëjtën gjë që duan të gjithë tifozët e Barcelonës: që skuadra të bëjë mirë, të marrë sa më shumë pikë. Dhe për të arritur gjithçka që është e mundur, duhet kohë. Ka shumë gjëra pozitive.”

Epoka e artë: “Po, është e vërtetë që ka momente, etapa, rrethana që e rrethojnë Barçën dhe që ndonjëherë janë të ndërlikuara. Në momentet më të vështira jemi në krah të institucionit. Ne nuk e dimë nëse një epokë e suksesshme do të përsëritet apo jo, duhet të përpiqemi ta bëjmë atë të ndodhë përsëri.”

Pedri: “Sigurisht, ai do të jetë pikë referimi në klubin e tij dhe në ekipin kombëtar. Unë kam folur me të për situata që kam përjetuar, siç janë krahasimet me të tjerët. Ai duhet të jetë vetvetja, të shijojë mënyrën si luan dhe të vazhdojë të rritet.”

Gavi dhe Nico: “Janë dy futbollistë me talent të madh dhe përgatitje të lartë fizike. Atyre u është dashur ta përballojnë këtë situatë dhe po përgjigjen në mënyrë të pabesueshme. Nuk duhet të harrojmë moshën e tyre. Ata duhet të vazhdojnë të rriten në një mjedis të mirë dhe të zhvillojnë talentin e tyre”./ Supersport

Top Channel