Si e shohin krizën Rusi-Ukrainë, shtetasit amerikanë që jetojnë në Kiev

11/02/2022 22:00

Presidenti Joe Biden po u bën thirrje shtetasve amerikanë që të largohen menjëherë nga Ukraina, ndërsa tensionet me Rusinë, për shkak të grumbullimit të forcave ushtarake në kufi, vazhdojnë të intensifikohen.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kiev, u ka kërkuar tashmë atyre të shqyrtojnë mundësinë e largimit nga ky vend. Një pjesë e shtetasve amerikanë që jetojnë në Ukrainë, janë dakord me udhëzimin, të tjerë jo. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Oksana Lihostova bisedoi me disa prej tyre.

John Uke, i cili drejtonte një biznes në Kaliforni, erdhi në Ukrainë disa vite më parë për të kërkuar teknikë kompjuterash, por ai nuk u kthye më kurrë në atdhe.

Me rritjen e pranisë ushtarake ruse pranë kufirit ukrainas, miqtë dhe të afërmit e tij në Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuar. Ata vazhdojnë t’i dërgojnë mesazhe që të kthehet sa më shpejt të jetë e mundur.

Por zoti Uke thotë se Kievi i pëlqen dhe mendon se kërcënimi që paraqet udhëheqësi rus Vladimir Putin është i ekzagjeruar.

“Mendoj se nuk ka gjasa që Putini të pushtojë. Por edhe sikur të ndodhë, mendoj se ukrainasit do të jenë në gjendje të rezistojnë, sepse ka kaq shumë njerëz këtu që janë shumë patriotë”, thotë John Uke, shtetas amerikan që jeton në Ukrainë.

Zoti Uke shton se të gjithë miqtë e tij amerikanë që jetojnë në aty, kanë marrë të njëjtin vendim, të qëndrojnë, dhe siç thotë ai, ata nuk janë shumë të shqetësuar.

“Nuk mendoj se ai (Vladimir Putin) do të bombardojë qytete e do të vrasë civilë, sepse Ukraina nuk i ka bërë asgjë të keqe, dhe do të ishte thjesht fatkeqësi. Ndaj ndjej se gjëja më e keqe që ndoshta mund të më ndodhë është thjesht të mbetem pa internet për pak kohë”, thotë ai.

Por jo të gjithë janë dakord. Joel Wasserman ka disa vite që jeton në Kiev. Ai jep mësime anglishteje. Zhvillimet e fundit e kanë bërë atë të zhvendoset në perëndim të vendit, në Lviv, derisa gjithçka të marrë fund.

“Doja të qëndroja larg bombave, predhave të artilerisë apo raketave. Nuk jam i shqetësuar se kjo gjë mund të ndodhë së shpejti, por doja që të lëvizja herët, sepse kjo do të më lehtësonte shumëçka. Në këtë mënyrë mund të marr më shumë nga gjërat e mia, macen time; si dhe do të isha i sigurt se do të kisha një vend që më priste këtu në Lviv”, thotë Joel Wasserman, shtetas amerikan që jeton në Ukrainë.

Ish-mjeku i ushtrisë amerikane David Plaster, jeton në Ukrainë prej dekadës së fundit. Ai shpesh udhëton në rajonin e Donbasit ku punon si vullnetar për t’u mësuar ushtarëve, mjekësinë taktike në raste urgjente.

Nëse Rusia pushton, zoti Plaster thotë se ai nuk do të largohet, por përkundrazi ai i është bërë pjesë e Forcave të Mbrojtjes Territoriale të Ukrainës për të mbrojtur Kievin nëse do të ishte e nevojshme, së bashku me banorët e tjerë të qytetit.

“Nuk do ta braktis shtëpinë, unë jetoj këtu. Po, disa prej nesh kanë pasaporta amerikane, britanike, evropiane, mund të shkojmë në vende të tjera. Po pse ta bëjmë këtë gjë?! Ne duhet të qëndrojmë aty ku jetojmë dhe t’i tregojmë Putinit dhe gjithë botës se ne nuk kemi frikë”, thotë David Plaster, shtetas amerikan që jeton në Ukrainë.

Shumë të tjerë sikurse zoti Plaster, që jetojnë në Kiev ndajnë të njëjtin mendim. Shtetas amerikanë, kanadazë, britanikë, nga Irlanda e Veriut, Danimarka e Gjermania morën pjesë së fundmi në një marshim solidariteti ndërkombëtar për të shprehur mbështetjen ndaj Ukrainës përballë agresionit rus.

“Kam parë disa ambasada që kanë bërë paralajmërime mbi udhëtimet. Disa të tjera kanë larguar personelin jothelbësor ose familjet e tyre. Por kjo është shtëpia ime, unë jetoj këtu, nuk do të shkoj asgjëkundi!”, thotë Paul Niland, shtetas amerikan që jeton në Ukrainë.

“Ne jemi këtu për të qëndruar. Kemi bizneset dhe familjet tona këtu, nuk do të shkojmë askund!”, thotë John Shmorhun, shtetas amerikan që jeton në Ukrainë./VOA/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA