Rreziku i kërcënimit rus forcon lidhjet brenda NATO-s

11/02/2022 19:16

Kryeministri britanik Boris Johnson paralajmëroi të enjten gjatë një vizite në selinë e NATO-s, se Evropa po përballet me krizën e saj më të rëndë të sigurisë në dekada dhe u angazhua për dislokime të mëtejshme ushtarake në Evropën Lindore në përgjigje të grumbullimit të trupave ruse në kufirin me Ukrainën.

Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, shumë analistë thonë se veprimet e Moskës i kanë bërë më të forta marrëdhëniet brenda aleancës së NATO-s.

Anije dhe avionë luftarakë të 28 vendeve anëtare të NATO-s bënë një stërvitje në brigjet italiane në fillim të këtij muaji. Aleatët e NATO-s po vendosin personel ushtarak dhe pajisje në gjithë Evropën Lindore.

Britania po forcon dislokimet në Estoni dhe Poloni dhe po shqyrton mundësinë e dërgimit të trupave të tjera në Evropën Juglindore. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s përshëndeti ofertën e Britanisë.

“Përtëritja e agresionit rus do ta rrisë praninë e NATO-s, nuk do ta zvogëlojë”, tha ai.

Shtetet e Bashkuara kanë dislokuar 3 mijë trupa shtesë në Poloni dhe Rumani.

“Për ta rritur besimin, për të siguruar aleatët tanë dhe për të forcuar krahun lindor të aleancës së NATO-s”, tha koloneli i ushtrisë amerikane, Joe Ewers.

Franca po dërgon trupa në Rumani. Dhe Gjermania që është kritikuar në të kaluarën se nuk ka mbajtur një qëndrim më të ashpër ndaj Rusisë, po rrit numrin e trupave në Lituani.

“Mund të mbështeteni tek ne dhe këtë po e tregojmë me forcimin e pranisë sonë”, tha ministrja gjermane e mbrojtjes, Christine Lambrecht.

Veprimet e Rusisë e kanë forcuar unitetin e NATO-s, thotë analisti Jonathan Eyal.

“Rusët nuk po kërkonin vetëm që të pranohej një ndarje e Evropës në sfera të reja ndikimi, por një zmbrapsje nga të gjitha marrëveshjet e sigurisë të vendosura në kontinent që nga fillimi i viteve 1990, në fund të Luftës së Ftohtë. Dhe kjo ishte aq indinjuese, aq e skajshme saqë ishte e pamundur për aleatët të mos ishin në një emërues të përbashkët”, thotë analisti Joanathan Eyal nga Instituti i Shërbimeve të Bashkuara Mbretërore.

Sondazhet tregojnë një rritje të mbështetjes publike për NATO-n si në vendet anëtare, ashtu edhe tek aleatët që nuk janë anëtarë, përfshirë Suedinë dhe Finlandën. Megjithëse asnjë prej tyre nuk pritet t’i bashkohet aleancës së shpejti, të dyja vendet kanë shprehur alarmin për grumbullimin e trupave ruse.

“Ne të gjithë duam që Rusia të ulë tensionet. Ne duam të gjejmë mënyra paqësore për të dalë nga situata”, tha kryeministrja finlandeze, Sanna Marin.

Rusia ka grumbulluar më shumë se 100,000 trupa pranë kufirit me Ukrainën, një përllogaritje e gabuar, thotë analisti Eyal.

“Nëse synimi i Rusisë ishte të përçante Evropën, veprimet e fundit të saj kanë shkaktuar efektin e kundërt”, thotë ai.

Por Rusia beson se e ka arritur objektivin për të mbajtur Ukrainën dhe Gjeorgjinë jashtë aleancës, thotë analisti Alex Titov.

“Siç ka thënë zoti Putin disa herë, anëtarësimi i tyre në NATO, në thelb do të nënkuptonte luftë me Rusinë për të gjitha vendet e NATO-s”, thotë Alex Titov i Universitetit Queens të Belfastit.

Megjithë mohimet e Moskës, shumë udhëheqës perëndimorë vazhdojnë të besojnë se Rusia ka në plan të pushtojë Ukrainën.

Shumë vëzhgues thonë se kërcënimi rus e ka rigjallëruar aleancën e NATO-s në vend që të nxjerrë në pah ndarje në radhët e saj./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA